E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sfidon moshën

Milaim Ramën nuk e pengon mosha që ta ndjekë topin. Sulmuesi kosovar të shtunën e ka shënuar golin më të bukur në karrierë. 35-vjeçari planifikon ta operojë gjurin në dhjetor, për t’u kthyer më i fortë në pranverë. Varësisht prej formës dhe gjendjes fizike që do ta ketë në pranverë, do të vendosë nëse do të luajë edhe një vit apo do të pensionohet.

Milaim Rama nuk njeh moshë. Veterani i sulmit ka vazhduar të shënojë në fanellën e Thunit, në fitoren 3:0 ndaj Servettes, të shtunën. Vetëm katër minuta pasi është inkuadruar në lojë, sulmuesi kosovar ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm.

35-vjeçari do ta mbajë në mend këtë gol gjithmonë. “Në karrierë kam shënuar disa gola, por ai i djeshmi me siguri do të jetë më i bukuri”, theksoi Rama fillimisht për Express.

Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 65-të, ndërsa katër minuta më vonë, pasi kaloi dy mbrojtës kundërshtarë, e paraboloi portierin, duke realizuar një gol fantastik.

Ky ishte goli i tretë i Ramës këtë sezon. Ai luajti vetëm 2 ndeshje si titullar, ndërsa në tjerat ishte zëvendësues, ose nuk u inkuadrua fare. Rama thotë se do të mundohet ta ndihmojë ekipin zviceran, sa herë që i jepet mundësia.

“Me ata pak minuta që kisha, arrita të shënoj tre gola këtë sezon. Shpresoj që trajneri të më inkuadrojë edhe më shpesh dhe atë pak besim që e ka tek unë, t’ia kthej me angazhim dhe nëse shënoj gol, kjo më shërben edhe mua. Kanë mbetur edhe dy ndeshje në fund të sezonit vjeshtor dhe shpresoj që edhe aty ta jap kontributin tim, duke e shënuar edhe ndonjë gol”, vazhdoi ai.

Thuni do të luajë me Grasshoppersin dhe më pas me Young Boysin, para se të mbyllet pjesa e parë e kampionatit. Më pas, Rama planifikon të operohet në gju, pasi që nuk u ndie plotësisht rehat gjatë pjesës vjeshtore.

“Kah mesi i dhjetorit do ta kem një ndërhyrje të vogël në gju, pas lojës së fundit vjeshtore. Së bashku me mjekët, kemi vendosur që t’i përmirësojmë disa defekte në gjurin tim. Shpresoj që pas operimit të ndihem më mirë dhe të mos kem dhimbje. Besoj se pas vitit të ri do të jem i gatshëm dhe do ta ndiej veten më mirë”, vijoi ai.

Sa i përket karrierës në përgjithësi, Rama duket të jetë ende i pavendosur. Ai thotë se do të luajë aq sa e sheh se ende është në gjendje ta kryejë këtë punë.

“Edhe pas operimit, nuk besoj se gjërat do të përmirësohen shumë, por shpresoj që mos të përsëritet lëndimi. Nëse luaj mirë në pranverë dhe shënoj gola, mund edhe të vazhdoj edhe një vit, pse jo. Por, është ende herët, por gjithçka do të varet nga pranvera. Më mirë t’ia lëmë kohës”, tha në fund Rama.

Rama: Në shkurt i mbush 9 vjet

Milaim Rama është lindur më 29 shkurt të vitit 1976. Ai e feston ditëlindjen çdo katër vjet, kështu që, matematikisht i bie se vitin e ardhshëm do ta festojë ditëlindjen e nëntë.

“Në shkurt të vitit të ardhshëm. do t’i mbush nëntë vjet”, tha duke buzëqeshur Rama, i cili në realitet i mbush 36 vjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›