Gjyqtarin që tentoi vetëvrasjen e shpëtuan asistentët

Presioni i madh ndaj atyre që janë të përfshirë në futboll është vënë sërish në qendër të vëmendjes në Gjermani, pas tentimit të vetëvrasjes të gjyqtarit Babak Rafati, para ndeshjes së Bundesligës mes Kolnit dhe Mainzit, të shtunën.
Dy vjet pas vdekjes tragjike të portierit gjerman, Robert Enke, i cili ia mori vetes jetën pas betejës disavjeçare me depresionin, lajmi për tentimin e vetëvrasjes nga Rafati ka bërë bujë në ligën gjermane.
Rafati 41 vjeç ishte gjetur në tualet në dhomën e tij në një hotel në Koln, nga asistenti i tij, në mëngjesin e së shtunës pasi kishte tentuar të bëjë vetëvrasje duke prerë venat. Gjendja e tij u stabilizua më pas në spital dhe ai pritet të qëndrojë në kujdes intensiv për ditët e ardhshme por hetimet rreth motiveve që e shtynë të tentojë të vetëvritej do të zgjasin më tepër.
Presidenti i Federatës gjermane të Futbollit (DFB), Theo Zwanziger ka shprehur habinë e tij rreth ngjarjes së rëndë.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se shëndeti i tij është stabil dhe ai do të tërhiqet nga kujdesi intensiv në ditët e ardhshme por do të ketë përkrahje të vazhdueshme. Është një situatë e rëndë ku një prej gjyqtarëve kryesor tenton të bënë vetëvrasje dhe është gjithmonë shumë e vështirë të mendohet se një njeri relativisht i ri mund të shohë vetëm një rrugëdalje”, tha Zwanziger, i cili pranoi se gjyqtarët janë nën presion të madh.
Ai po ashtu tregoi se asistentët ia shpëtuan jetën Rafatit.
“Mund të shpjegoj se presioni ndaj gjyqtarëve për arsye të ndryshme është jashtëzakonisht i madh. Do të ishte e gabuar dhe e padrejtë të spekulohet tani se si erdhi te kjo por shpresojmë që ai ti kthehet jetës normale dhe të jetë sërish i shëndoshë. Pasi Babak nuk kishte ardhur për mëngjes, dhe nuk ishte paraqitur në takim për të diskutuar ndeshjen, asistentët e tij e hapën dhomën dhe e gjetën në tualet. Kishte shumë gjak, kjo është krejt çka mund të them, detajet e tjera duhet të kursehen, por duhet të them se tre asistentët ia shpëtuan jetën Babakut”, shtoi ai.
Rafati u desh të drejtojë ndeshjen mes Kolnit dhe Mainzit, por ajo u shty 40 minuta para fillimit dhe do të zhvillohet në një datë tjetër. Rafati, i cili ka origjinë iraniane është gjyqtar i Bundesligës për gjashtë vjet, dhe ndeshja e tij e parë që drejtoi ishte pikërisht Koln-Mainz, ndërsa ka ndarë drejtësinë në 84 takime të ligës së parë gjermane.
Ai është gjyqtar i FIFA-s nga 2008, por nuk është nominuar nga DFB-ja për të drejtuar takime të këtij viti në shkallën ndërkombëtare. Ai ishte kritikuar shpesh nga futbollistë të Bundesligës dhe magazina gjermane Kicker, në disa raste, e kishte votuar si gjyqtarin më të dobët në ligë.