Rama sfidon numerikisht Berishën, Aleanca për Shqipërinë Europiane me 40 parti dorëzohet në KQZ
Kur kanë mbetur vetëm pak orë përpara skadimit të afatit zyrtar, Partia Socialiste ka dorëzuar e para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin e regjistrimit të koalicionit të saj garues për zgjedhjet e 23 qershorit.
Opozita ka në përbërje të koalicionit të saj plot 40 parti, duke përbërë edhe koalicionin më të madh të këtyre zgjedhjeve, përballë koalicioni të djathtë që ka mbledhur rreth vetes 24 parti. Përpos partive tradicionale të së majtës, aleanca e opozitës do të ketë edhe parti e grupime të së djathtës.
Kërkesa për regjistrimin e koalicionit, të cilin opozita e ka emërtuar Aleanca për Shqipërinë Europiane, është dorëzuar në protokollin e KQZ-së nga përfaqësuesit ligjorë të PS në këtë institucion, Genc Gjonçaj dhe Eridian Salianji.
Kjo aleancë, që numëron pothuaj 15 forca politike më shumë se koalicioni i djathtë, është konsideruar nga përfaqësuesit e opozitës si koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit, prononcim të cilin zoti Gjonçaj e bëri pasi doli nga KQZ.
Ndërkohë, përfaqësuesi i demokratëve Njazi Kosovrasti ka mbërritur pranë institucionit më të lartë zgjedhor rreth 2 orë përpara mbylljes së afatit për të dorëzuar kërkesën zyrtare të regjistrimit të koalicionit të djathtë me 24 parti, i zyrtarizuar mbrëmjen e djeshme me emrin “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”.
24 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama sfidon numerikisht Berishën, Aleanca për Shqipërinë Europiane me 40 parti dorëzohet në KQZ burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email