Denoncon deputeti i PD-së Aldo Bumçi

“Problemet e mëdha në kryeqytet, Edi Rama përgjegjësi kryesor”
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, bëri dje përgjegjës kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për problemet e mprehta sociale me të cilat përballen sot banorët e kryeqytetit. Gjatë debatit të lirë parlamentar, Bumçi, deputet i kryeqytetit, tha se sot Tirana, vendi ku jetojnë rreth 700 mijë shqiptarë, përballet me më shumë probleme sociale se sa qytetarët e tjerë të Shqipërisë, ku shkak kryesor është mungesa e një plani të përgjithshëm rregullues. “Ndërsa popullsia e Tiranës është trefishuar, sipërfaqja e ndërtuar është më shumë se dyfishuar, sepse ky ka qenë plani i Edi Ramës ta linte një qytet pa plan, dhe ky është burimi i të gjitha problemeve me të cilat përballen qytetarët”, tha Bumçi. Duke u ndalur tek problemi e edukimit parashkollor, ai tha se bashkia e Tiranës në dhjetë vitet e fundit nuk ka bërë investime. “Nuk ka fëmijë që shkon në klasë të parë i përgatitur, pasi gjysma e fëmijëve në kryeqytet nuk shkojnë dot në sistemin parashkollor për shkak të mungesës së kopshteve në kryeqytet”, u shpreh Bumçi. Sipas tij, shkollat në Tiranë janë me dy turne për shkak të mungesës së tyre. Fëmijët e zonave periferike vijnë në shkollat në qendër të kryeqytetit për të marrë shkollim, pasi kryetari i bashkisë, pavarësisht rreth 18 milionë eurove që u morën nga qeveria shqiptare për shkollat në Tiranë, nuk ka arritur të blejë troje për ndërtimin e institucioneve të reja shkollore. Kjo ndodh, tha deputeti Bumçi, se kryeqyteti është në funksion të një individi prej dhjetë vitesh dhe ky është Edi Rama.
...