Rama shkaktar i te gjitha humbjeve zgjedhore te socialisteve

Lideri historik i së majtës shqiptare Fatos Nano, ka akuzuar kryetarin aktual të Partisë Socialiste Edi Rama, se është shkaktar i të gjitha humbjeve zgjedhore të socialistëve. Në një deklaratë për mediat, zoti Nano, thekson se i vetmi që ndan socialistët është Rama. Nano shprehet se Edi Rama i ka shkaktuar socialistëve të vërtetë humbjen e rradhës. “Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e rradhës, duke i lënë fushë të lirë Berishës që ta zgjedhi vetë Presidentin që donte”, thotë zoti Nano. Ai shprehet se prej muajsh e javësh i ofroi Edi Ramës dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit, por Rama e refuzoi me këmbëngulje. Lideri historik i së majtës shprehet se i kërkoi të kalonin nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë, por Edi Rama përsëri refuzoi.
Nano rrëfen se kërkoi mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës që së bashku ta fitonin garën Presidenciale për tu dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë. Por, Edi Rama refuzoi, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës. Edi Rama humbi. Sipas zotit nano, me këtë humbje të rradhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët. Ish-kryeministri Nano thotë se ka ndjekur deklaratat më të fundit të Edi Ramës ku guxonte t’i drejtonte akuza idiote dhe qesharake. “Nuk mundet të mos ndjej zhgënjim të thellë, indinjatë dhe refuzim të plotë ndaj limbos ku vetë Edi Rama ka mbetur. Limboja e Edi Ramës nuk mund të lejojmë të kthehet në limbo të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të socialistëve”, thotë Nano.
Lideri historik i së majtës shprehet se ky palo Kryetar ka guximin dhe e akuzon atë se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të.
Pas darkës së Gjirit të Lalzit, thotë zoti Nano, nëse ka patur një njeri që Qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama. Edi Rama ne darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën ka këmbëngulur vetëm tek një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet. Lideri historik i së majtës thotë se Qeveria e përdori Edi Ramën kundër Fatos Nanos, dhe Edi Rama ia plotësoi dëshirën Qeverisë. Sot President është zgjedhur Ministri i Brendshëm i Berishës, ndërsa Fatos Nano dhe socialistët kanë humbur, për shkak të Edi Ramës. Nano shprhet se Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën, sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për tu bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak.
Në këtë deklaratë për mediat, zoti Nano i bën thirrje Partisë Socialiste, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të PS që në këto momente kaq të rëndësishme për fatet e Shqipërisë të bëhen dalëzotsa, të rigjejnë dinjitetin, të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur. Ai kërkon që të mos lejohet që një aventurier humbarak e liganak si Edi Rama t’i tërheqë zvarrë e t’i nëpërkëmbë dinjitetitin duke ju zhytur juve dhe Partinë Socialiste por edhe Shqipërinë në krizën e padijes, paaftësisë, pamundësisë, dhe perversitetit të tij politik.