Meta Konfliktet e kaluara pengese per statusin
Lëvizja Socialiste për Integrim apelon për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik. Kjo me qëllim ecjen me shpejtësi drejt përfundimit të reformave kyçe për vendin. Ishte vetë kreu i LSI_së, Ilir Meta, ai i cili gjatë një komunikimi me mediat kërkoi nga klasa politike që të avancojë punën për realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare, heqjen e imunitetit dhe të gjitha reformat e tjera që janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit.
Nga ana tjetër, kreu Meta vlerësoi maksimalisht figurën e presidentit të sapozgjedhur, Bujar Nishani.
“Zgjedhja e Presidentit nuk ka qenë një moment, por produkt i një procesi të gjatë në kohë, i një dialogu të vazhdueshëm, ku janë përfshirë të gjitha forcat parlamentare dhe jo parlamentare dhe ku në fund kemi patur rolin e parlamentit që ka qenë plotësisht sovran, me zgjidhje konkrete, për të evituar dhe zgjedhjet e parakohshme. Presidenti Nishani është një figurë bashkëpunuese, institucionale, që sjell qetësi. Duhet të kemi parasysh se konfliktet e kaluara janë pengesë për statusin”, vuri në dukje Meta, gjatë fjalës së tij.