Tetovë, Topi sot merr Doctor Honoris Causa
Pas takimeve zyrtare me krerët e shtetit maqedonas, axhenda e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në shtetin fqinj vijon me vizitën në shtëpinë e Nënë Terezës, te monumenti i Skënderbeut dhe me takime të veçanta me faktorin shqiptar. Shumë e ngjeshur do të jetë edhe dita e dytë e vizitës. Pas përshëndetjes në forumin ekonomik shqiptaro-maqedonas, Presidenti Topi do të vizitojë Tetovën ku do të takohet me kryetarin e komunës, Sadi Bexhetin. Mikpritësi i kësaj vizite, Sadi Bexheti, së bashku me Presidentin Topi do të vizitojnë edhe dy monumentet kulturore-fetare në Tetovë, si Xhaminë e Larme dhe Arabatin Baba Teqe. Nga ana e komunës nuk janë zbuluar detaje të tjera lidhur me vizitën e Presidentit shqiptar, por vetëm kanë bërë të ditur se Topi do të arrijë në orët e paradites në komunë. Në Universitetin e Tetovës do ti jepet titulli Doctor Honoris Causa, kurse në qytetin e Dibrës, komuna do ti akordojë titullin Qytetar Nderi.