Prençi: U gjeta i vetëm përballë mafias së kromit që lidhet ngushtë me pushtetin

Shemsi Prençi
Në një konferencë për shtyp pak orë pas dorëheqjes nga posti i drejtorit të policisë së qarkut Dibër, Shemsi Prençi ka deklaruar se e ka marrë këtë vendim pasi është gjetur i vetëm në luftën kundër mafias së kromit në Bulqizë.
Ta harrojnë se duke më kërcënuar me bukën e gojës apo me jetën unë do të hesht. Nuk gjeta mbështetjen në shtet. Është koha që qytetarët të dëgjojnë. I gjendur përballë mafies së shpellave, denoncimi im ka rënë në vesh të shurdhër. Jemi ndier të braktisur nga eprorët, duke u terrorizuar psikologjikisht. Sot burgjet e Shqipërisë janë mbushur plot fëmijë që vjedhin karta dhe telefona celularë dhe jo me ata që vjedhin pasurinë kombëtare, tha Prençi.
Duke iu referuar drejtorit të Policisë së Shtetit, Prençi u shpreh se ai ka në dorë vetëm çelësat e kashtës, pasi pushteti e ka kthyer në marionetë, duke i diktuar çdo vendim.
Sot dorëzova dorëheqjen, drejtori i policisë ka në dorë vetëm çelësat e kashtës pasi gjithçka ia diktojnë pengmarrësit e pushtetit, është kthyer në marionetë. Sot unë i dhashë vetes lirinë. E mora atë sepse nuk munda të bëja më shumë përballë mafias së kromit. Liria do të më duhet të flas hapur. Nuk gjeta aleatë brenda shtetit, por do ti kërkoj te opinioni publik. Sot dorëzoj uniformën që fjalët e rëna në vesh të shurdhër për shkak të censurës së detyrës ti dëgjojnë të gjithë, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë i policisë u shpreh se mafia e kromit e ka qendrën në Tiranë dhe për lidhjet e saj me pushtetin do të denoncojë në Prokurorinë e Përgjithshme. Madje ai përmendi edhe kryeministrin Berisha si të përfshirë në këtë biznes.
Deri vonë kam besuar se Berisha thënien se mafia nuk ka atdhe po shpella krimi e kishte nga librat, por kuptova se njohja e kryeministrit për mafian vjen nga brenda shpellave të saj. Po i braktis në mjerimin e tyre ata që i mbajnë leksione popullit për demokracinë. Kam shumë për të treguar para prokurorisë. Mafia e shpellave të Bulqizës, qendrën e ka në Tiranë, tha Prençi.
Jep dorëheqjen drejtori i policisë së qarkut Dibër, Shemsi Prençi
Dorëhiqet drejtori i policisë së qarkut Dibër, Shemsi Prençi.
Sipas informacioneve, Prençi ia ka paraqitur dorëheqjen e tij drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Shemsi Prençi ka qenë më parë në postin e shefit të forcave operacionale të policisë së Tiranës.
Pritet që vetë Prençi të sqarojë motivet e dorëheqjes, ndërkohë që nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka emëruar menjëherë në vend të Prençit, Hasan Gjergjerin.
Prençi u vu në qendër të vëmendjes mediatike në fund të fushatës për zgjedhjet lokale të 9 majit 2011, kur denoncoi zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, se e kishte kërcënuar se do ti merrte jetën nëse nuk ndërhynte me FNSH-të për të shtypur një miting të opozitës në Bathore.
Në atë kohë, Prençi mbante postin e kreut të forcave special, ndërsa Peka ushtronte përkohësisht funksionet e ministrit të Brendshëm, pas kandidimit të Bashës për kreun e Bashkisë së Tiranës. / G.N.