Rama: Është koha për ndryshim
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përsëriti të martën se “është koha për ndryshim, pasi shteti nuk arrin të sigurojë dhe mbrojë jetën e qytetarëve të tij”. Gjatë një konference për shtyp, kryesocialisti Rama tha se “vazhda e tragjedive që po pushtojnë vendin, buron nga varfëria që ka pushtuar shqiptarët”. Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në liqenin e Butrintit, në Sarandë, ai tha se “viktimat e Butrintit janë viktima të një ëndrre të mbytur, thjesht sepse të mbetur pa punë dhe pa shtëpi, mundohen ta kërkojnë gjetkë mbijetesën e tyre”. Duke kujtuar se Shqipëria është ende në periudhën e moratoriumit të mjeteve lundruese, Rama e cilësoi këtë si një gabim të radhës të qeverisë. "Moratoriumi i pushtetit të Sali Berishës ekzekutohet për ata që nuk kanë nevojë për masa penalizuese, dhe nuk funksionon për trafikantët që përfitojnë te varfëria”, përfundoi Rama. ...