Vendi ynë është në rrugën e duhur për të qenë një destinacion modern për investime
"Shqipëria është në rrugën e duhur për të qenë një destinacion modern për investime dhe tregti"; u shpreh të martën Andrea Gebeken, Presidente themeluese e Bashkimit gjerman për Industrinë dhe Tregtinë në Shqipëri, në konferencën ekonomike gjermano- shqiptare "Perspektivat e tregut në Shqipëri Energjia - Mjedisi - Ndërtimi", që po zhvillohet në mjediset e Hotel Tirana International.
Sipas Gebeken, ritmi i lartë i zhvillimit dhe ndryshimi i shpejtë strukturor dëshmojnë për shtrirjen e mëtejshme të investimeve në Shqipëri dhe për tregtinë e jashtme dypalëshe.
"Ekonomia po zhvillohet shpejt dhe pengesat për zhvillimin e ekonomisë, si mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe infrastruktura rrugore e pamjaftueshme po trajtohen me përparësi",-theksoi Geben, ndërsa shtoi se "me organizatat partnere gjermane vitin e ardhshëm do të jepen impulse të tjera për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare".
Ndërkohë, Presidenti i Shoqërisë ekonomike gjermano-shqiptare, në Berlin, Hans-Jyrgen Myler, vlerësoi se edhe investitorët dhe tregtia po e vlerësojnë këtë angazhim të qeverisë shqiptare për lehtësimin e ngritjes së biznesit.
"Investimet dhe tregtia midis dy vendeve janë në rritje dhe mbështesin më tej ndryshimin ekonomik të vendit",- tha ai, duke shtuar se shembuj si ndërtimi dhe sipërmarrja e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" me bashkëveprimin aktiv të HOCHTIEF AirPort Shpk, planifikimi për ndërtimin e një centrali nga RËE ShA, krijimi i një infrastrukture për menaxhimin e mbetjeve në Lezhë me pjesëmarrjen e grupit Schäfer, apo modernizimi i furnizimit me ujë në Korçë dhe Pogradec nxjerrin në pah këtë interes të madh për bashkëpunim.
Sipas tij, këto pika prekin nervin e ekonomisë dhe të sipërmarrjeve, duke shtuar se mbi 80 pjesëmarrës nga Gjermania dhe rreth 180 sipërmarrje nga Shqipëria po tregojnë interes të madh për Konferencën sektoriale gjermano-shqiptare 2008". Myler evidentoi se vetëm në vitet pas 2005 marrëdhëniet në tregtinë e jashtme janë rritur rreth 32 për qind.
Bashkimi Gjerman i Industrisë dhe Tregtisë, themeluar në Shqipëri kohët e fundit, synon të mbështesë kontaktet bilaterale të sipërmarrjeve të interesuara në të dy vendet.
...