Rama si Berisha në 21 Janar: Neutralizuam një dron me eksploziv që do godiste kryeministrinë! Rinia dhe studentët me keqardhje janë pengje të grupit të zjarrit
Kryeministri Edi Rama, gjatë komunikimit live me ndjekësit në rrjete sociale, pretendoi se kanë neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, do të godiste Kryeministrinë. Sipas Ramës, pas qëndron “një dorë e huaj”.

Rama pranoi se rinia është e frustruar dhe e inatosur me qeverinë por shtoi se ata po përdoren nga “grupi i zjarrit” për të kryer akte dhune.
“Përpara dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste kryeministrinë, duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ajo grehina e drurit dhe një zot e di me çfarë pasojash. Nuk ka rini, student e të mitur që i shkon mendja dhe jo më ta vërë në jetë këtë plan. Është një dorë e huaj.”, tha Kryeministri.
Deklarata e tij sjell në vëmendje retorikën e ish kryeministrit Sali Berisha pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, kur u vranë katër protestues. Në atë kohë, Berisha e cilësoi protestën si një përpjekje për grusht shteti dhe bëri pretendime për përdorimin e mjeteve të tilla si çadra-pistoletë dhe thika me helm.