E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama sulmoi News24, reagon Azgan Haklaj: Të ndalet menjëherë presioni ndaj kësaj medie të pavarur! Po kryen një detyrë kushtetuese duke informuar publikun

Ish-deputeti Azgan Haklaj ka reaguar kundër sulmeve dhe gjuhës intimiduese që kryeministri Edi Rama ka përdorur së fundmi ndaj televizionit News 24 dhe gazetarëve të tij.

AZGAN HAKLAJ

Në një deklaratë publike, Haklaj dënon atë që e cilëson si presion ndaj medias së pavarur dhe e konsideron ndërhyrjen e pushtetit ekzekutiv në linjën editoriale të një televizioni si cenim të parimeve demokratike dhe të lirisë së shprehjes.

Sipas ish-deputetit, gazetarët dhe mediat kanë detyrimin të informojnë publikun, të analizojnë në mënyrë kritike punën e qeverisë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

REAGIMI I PLOTË:

Të ndalet menjëherë presioni dhe sulmet ndaj medias së pavarur dhe News 24!

Dënojmë me forcë sulmet dhe gjuhën intimiduese të përdorur së fundmi nga Kryeministri Edi Rama  ndaj televizionit News 24 dhe gazetarëve të tij. Përdorimi i pushtetit ekzekutiv për të ushtruar presion mbi linjën editoriale të një medieje të pavarur përbën një shkelje të rëndë të parimeve demokratike dhe një goditje direkte ndaj lirisë së shprehjes.

Gazetarët dhe mediat kanë për detyrë kushtetuese të informojnë publikun, të analizojnë me kritikë punën e qeverisë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

Çdo tentativë për t’i denigruar, shantazhuar apo frikësuar ata përmes retorikës publike apo mekanizmave shtetërorë është e papranueshme.

Përmes këtij reagimi kërkojmë:

Të ndalet menjëherë presioni i çdo lloji ndaj gazetarëve të News 24 dhe të gjitha mediave në vend.

Nga Qeveria dhe kryeministri:

Të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes, sulmet personale dhe tentativat për të kontrolluar fjalën e lirë.

Nga Institucionet dhe Partnerët Ndërkombëtarë:

Të monitorojnë me vëmendje të shtuar këtë përshkallëzim dhe të reagojnë në mbrojtje të gazetarisë së pavarur.

Liria e medias nuk është një privilegj i pushtetit, por një e drejtë fondamentale e qytetarëve për t’u informuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›