E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama s’shfaqet në media gjatë gushtit, se është muaji kur rri lakuriq

18-08-2011 / Gazeta 55

Megjithë rëndësinë e raportit për zgjedhjet e 8 majit, Edi Rama pranon të marrë riskun politik të mosshfaqjes para publikut, për shkak të një rutine prej 15 vjetësh. Në kalendarin e tij personal, prej 1996-s, gushti shkruhet “lakuriqësi”, prandaj edhe gjatë këtij muaji, Edvini e ka të pamundur t’u përgjigjet apeleve të ndërkombëtarëve për angazhim të menjëhershëm në reforma


Jo raporti i ODIHR-it të dalë, por të mblidhet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe Kongresi i PS-së e t’i japë ultimatum të kthehet për të raportuar për 8 majin, se ndryshe e shkarkojnë, Edi Ramën s’e kandis gjë të dalë në publik. Është muaji gusht, dhe për ata që ia dinë historinë e pushimeve në 15 vitet e fundit, e kujtojnë se gushti në kalendarët personalë që porosiste Rama, shënohej me emrin “lakuriq”. Nuk është ndonjë figurë letrare, as ndonjë mesazh në kriptogram për veten e vet. Është thjesht një kujtesë, është axhenda se gushti i kushtohet nudizmit, daljes lakuriq në plazhet e botës, me miqtë a mikeshat e radhës, pa iu dridhur qerpiku e pa pasur shqetësim se do të dalë ndonjë gjë më e rëndësishme sesa dalja gollomesh. E ka bërë në 1996 në Francë, e ka bërë prapë në 2000 e në 2001-in, gjithmonë në Francë, të paktën kështu ka thënë një vrasës me pagesë në publicistikë, që dikur e ka pasur kundërshtar e tani e ka në kthinën kryesore të propagandës. Mediat edhe në gushtin e vjetshëm, kur ai humbi për më shumë se 3 javë, raportuan se u shfaq nudo në hollet e specializuara të disa hoteleve në Dubai, pasi më herët kish qenë në Nicë e Kanë, në të njëjtat mjedise të përhershme. Leksionet për etikën e politikanit s’kemi ndërmend t’i bëjmë, pasi janë përmendur edhe herë tjetër, dhe i madh e i vogël e di se nga ç’brumë i thartuar është gatuar politikani Edi Rama, por reagimi me letër të hapur ndaj raportit të OSBE-së (po të mos llogarisim klithmat e porositura të kapterr Tahirit), na kujtojnë se kemi ende në rend të ditës grishjen për nisjen e një dialogu politik, i cili do të përmirësonte Kodin Zgjedhor, por edhe do të arrinte marrëveshjen për miratimin e nismave ligjore që kërkohen për marrjen e statusit të kandidatit. Për shkak të kësaj nevoje urgjente, edhe bëhet imediate analiza e premtimit të Edvinit në letrën e hapur, se në shtator do të nisë kursi i ri, pavarësisht se shqiptarët do t’i bëjnë protestat e rrëmujat, ashtu siç po ndodhin në Londër, Athinë e gjetkë. Atëhere, sa seriozisht mund ta marrim kursin e ri, kur e shkreta selia partie s’di ç’t’u thotë ambasadorëve që këto ditë po i kërkojnë takime formale, që ai t’ua japë në sy vlerësimet (a kritikat) që ka për raportin e ODIHR-it, dokumentit më të rëndësishëm që ndërkombëtarët nxjerrin për zgjedhjet në Shqipëri. Ambasadorët s’marrin përgjigje e natyrisht edhe shqiptarët s’mund të jetojnë me premtimin paradhënie në editorialin e tij se në shtator do të jetë një politikan më i mirë e më frytdhënës për interesat e Shqipërisë. Ajo që po marrim vesh sot e gjithë ditën është fakti se Edi Rama po i qëndron traditës së gushtit, si muaji i lakuriqësisë... Atëhere ka shumë gjasa që edhe në shtator, edhe në tetor, edhe më vonë, ai do të respektojë rutinën e vet, atë të bllokimit të reformave dhe të spastrimit të “armiqve” brenda partisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›