E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lufta kundër korrupsionit, themeli i të gjithë suksesit të modelit ekonomik të Shqipërisë

18-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha deklaron se lufta kundër fenomenit të korrupsionit mbetet parimi kryesor i Qeverisë si kusht vendimtar, për suksesin e çdo reforme. Bashkia e Tiranës, “one stop shop”, për lejet e ndërtimit

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se lufta kundër korrupsionit mbetet parimi kryesor i Qeverisë si kusht vendimtar, për suksesin e çdo reforme. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kreu i qeverisë theksoi se do të vazhdohet më tej me reformat duke punuar më fort për transparencën. “Ne kemi bërë një punë shumë të madhe në lidhje me transparencën, por ne duhet të vazhdojmë këtë betejë çdo orë çdo minutë, çdo ditë. Themeli i të gjithë suksesit të modelit ekonomik të Shqipërisë është rezultati i luftës kundër korrupsionit. Ne kemi vendosur standardet më transparente. E shndërruan Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe botë me prokurime elektronike dhe ne do të bëjmë që çdo procedurë të jetë transparente”- u shpreh kryeministri Berisha.
Duke iu referuar përpjekjes së qeverisë për Shqipërinë Dixhitale, kreu i qeverisë ka inkurajuar Bashkinë e Tiranës që të shqyrtojë mundësinë që lejet e ndërtimit të jepen me anë të procedurave “one stop shop” pasi lejet ishin shndërruar më parë në një mjet të tmerrshëm. “Është e domosdoshme që të gjitha proceduarat e mundshme të shndërrohen në proceduara dixhitale pasi kjo është rruga më e sigurt për të garantuar transparencën maksimale. Kjo qeveri do të mbetet qeveria e transparencës së plotë në të gjitha proceduarat, në zgjedhje, koncesione etj”- ka theksuar Berisha.
Ndërkohë duke iu referuar regjistrimit të popullsisë, kreu i qeverisë e ka cilësuar si arritje të madhe realizimin e Censusit. Sipas tij, ky Census zhvillohet mbi bazën e një dokumentacioni të teknologjisë më të lartë, të kartave të identitetit dhe të adresave ndërsa shtoi se regjistrimi do të bëhet pjesë e një Shqipërie të dekadës së dytë të shekullit të 21.
 “Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që nuk është ai që ishte 20 vjet më parë. Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që i përket vendit që ka bërë ngjitjen më të shpejtë se çdo vend tjetër. Është regjistrimi i parë që bëhet në një vend që po krijohet një klasë e mesme në shoqërinë shqiptare”- ka shtuar Berisha.
Më tej Berisha ka theksuar se regjistrimi i popullsisë është një madhor i Shqipërisë të kësaj kohe ndërsa shtoi se të gjitha komentet që bëhen kundër këtij akti janë të një primitivizmi njerëzor të shkallës më të lartë. “Ata janë mjeranë politik, Haxhi Qamilër me 100 flamuj që duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre pasi për shkak të mandateve që u bihen besojnë se mund të kacavirren në kurriz të tyre”- ka shtuar më tej Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›