E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takime me socialistët e Austrisë

Mesditën e djeshme, Rama është pritur nga një grup deputetësh të SPO, të kryesuar nga Sekretarja e Grupit Parlamentar Socialist për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Europën, Christine Muttonen.

Gjatë bisedës, Rama informoi përfaqësuesit e grupit parlamentar socialist austriak mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi ecurinë e vendit tonë në rrugën e integrimit evropian. Duke u ndalur në këtë çështje të rëndësishme, Rama u kërkoi deputetëve austriakë një mbështetje sa më të gjerë për Shqipërinë në proceset integruese duke i siguruar ata po ashtu mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ndihmuar maksimalisht në përmbushjen e të gjitha kritereve në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE. Edi Rama i njohu deputetët austriakë edhe me programin e ri të PS, “Për një Rilindje Shqiptare”.

Rama u ndal veçanërisht në risitë që ky program sjell për ekonominë, shoqërinë, demokracinë, por edhe për objektivin madhor të PS për ta ribashkuar Shqipërinë me Evropën”. Sfida veçanërisht të rëndësishme janë garantimi dhee funksionimi normal i shtetit të së drejtës, pavarësisë së institucioneve, që sot, si në rastin e Prokurores së Përgjithshme, janë gjithmonë e më shumë nën një sulm të hapur dhe të turpshëm të qeverisë shqiptare”, tha kreu socialist.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të luftohet korrupsioni dhe për të patur një sistem ligjor funksional, por gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ndihmohen të rinjtë për t’u punësuar dhe në këtë drejtim ju duhet të fokusoni të gjitha përpjekjet tuaja”, tha nga ana e saj Muttonen. Gjithashtu, Rama zhvilloi sot një mëngjes pune me Sekretarin e Shtetit për Financat Andreas Schieder. Në takimin me Sekretarin e Shtetit të Austrisë për Financat-sipas zyrës së shtypit të Partisë Socialiste- Rama ka marrë mbështetje të plotë për modelin e taksimit progresiv që PS synon të vendosë në qeverisjen e saj. Sekretari i Shtetit të Austrisë për Financat Schieder ofroi mbështetje të ekspertëve austriakë në fushën e financave publike për Programin e ri të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”. /Start/

                                                                                             2012-02-03 15:12
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›