Rama në Austri, grup të përbashkët ekspertësh për programin e reformave

Takimi me grupin e deputetëve socialistë
Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, gjatë qëndrimit në Austri ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të spektrit të majtë në këtë vend. Lideri i opozitës shqiptare ka patur një takim me një grup deputetësh të Partia Socialiste Austriake, kryesuar nga Sekretarja e Grupit Parlamentar Socialist për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Evropën, Christine Muttonen.
Rama, ka informuar përfaqësuesit e grupit parlamentar socialist austriak mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi ecurinë e vendit në rrugën e integrimit evropian. Ai u ka kërkuar deputetëve austriakë mbështetje sa më të gjerë për Shqipërinë në proceset integruese.
Në këtë takim është diskutuar për ngritjen e një grupi të përbashkët ekspertësh për programin e reformave në disa fusha. Si dhe është përcaktuar axhenda e punës për hartimin e politikës së re fiskale dhe taksimin progresiv që PS parashikon në programin e saj politik.
Në një intervistë Christine Muttonen, Sekretare e Grupit Parlamentar Socialist austriak për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Evropën u shpreh: “Mendoj se është shumë e rëndësishme që të luftohet korrupsioni dhe për të patur një sistem ligjor funksional, por gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ndihmohen të rinjtë për t’u punësuar dhe në këtë drejtim ju duhet të fokusoni të gjitha përpjekjet tuaja.”

Takimi me ish kancelarin Vranitzky
Rama gjatë qëndrimit në Austri ka zhvilluar dhe një takim me ish kancelarin austriak Franc Vranitzky, i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 1998. Ata kanë biseduar për të shkuarën aq edhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.
Ndërsa sot, Rama ka takuar Sekretarin e Shtetit për Financat Andreas Schieder. Në këtë takim, Rama ka marrë mbështetje të plotë për modelin e taksimit progresiv që PS synon të vendosë në qeverisjen e saj.
Në intervistën e tij Schieder thotë se “taksimi progresiv është rruga më e drejtë” pasi sipas tij taksa e sheshtë që aplikohet aktualisht në Shqipëri favorizon të pasurit dhe ndëshkon të varfrit.

Takimi me Schieder
Besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe i merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm; kjo do të thotë: taksa progresive; çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital etj; kjo sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet por të qëndrojë e bashkuar, kjo është e rëndësishme, është shprehur Schieder.