E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takime në Tiranë me asambletë

 

Kryetari socialist pas rimarrjes së mandatit të tij në krye të PS-së, ka nisur takimet me personalitete të së majtës, por dhe me strukturat e saj. Pas takimeve me Dritëro Agollin dhe Servet Pëllumbin, Rama do të takohet këtë javë dhe me asambletë e njësive bashkiake të kryeqytetit. Në qendër të takimeve do të jetë sqarimi i pozicionit të PS-së në raport me parlamentin, ku grupi parlamentar socialist ka vendosur ta bojkotojë atë deri në plotësimin e disa kushteve. Por mosplotësimi i këtyre kushteve, i ka shtyrë socialistët që t’i drejtohen dhe protestave popullore në shesh. Për këtë vetë Rama, gjatë një komunikimi me median i bëri thirrje shqiptarëve të dalin në shesh për të protestuar kundër këtij qëndrimi të Qeverisë, e cila nuk pranon të hapë kutitë e votimit në ato qarqe që kërkojnë socialistët. Vendimi erdhi pas një takimi që Rama zhvilloi me disa kryetarë bashkish qendër qarku që drejtohen nga socialistët. Mësohet se ata i kanë dhënë garanci Ramës për pjesëmarrje maksimale të mbështetësve të PS-së në mitingun e protestës që do të zhvillohet në 10 tetor në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›