Malaj: Të ndryshojë fryma e lidershipit të PS
Aristir Lumezi
Anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj në një intervistë për “Panorama” shpreh shqetësim për frymën radikale, që vazhdon të ekzistojë në drejtimin e PS-së. Sipas tij, vendimmarrja e saj vazhdon të jetë vertikale dhe e personalizuar, duke sjellë si shembull vendimin për organizimin e protestës. Malaj kërkon që kongresi që pritet të mbahet në muajin dhjetor të mos kthehet në një kongres për dënimin e grupeve armiqësore në PS, pasi një gjë e tillë do të rëndonte klimën brenda saj.
Si gjykoni mbajtjen e një kongresi pune dhe analizë rreth 6 muaj pas zgjedhjeve dhe pas zgjedhjes së kryetarit të PS?
Duke u bazuar në komentin tuaj, po bëj komente rreth mbledhjes së një kongresi të PS. Vlerësoj se komenti duhej bërë pasi të dalë vendimi i kryesisë dhe Asamblesë për mbledhjen e kongresit, sepse nuk është normale që vendimi të marrë 2-3 muaj para se të mblidhet kongresi. E dyta, zhvillimi i kongresit duhet t’i paraprijë një procesi diskutimi të paketave, pasi duket se ka projekte alternative për ndryshimin e statutit të PS. Sigurisht që parapëlqehet “Paketa Lakrori”, por mos harrojmë se shumë anëtarë të kryesisë dhe Asamblesë kombëtare kanë paraqitur një platformë për ndryshimet statutore, ashtu sikurse mund të ketë dhe propozime të tjera. E treta, është se një analizë në kongres nuk mund të jetë analizë. Normalisht kongresi mblidhet për dokumente të rëndësishme; për një platformë të re politike, për një vendim politik opozitar, siç është bojkoti dhe për ristrukturim të strukturave të saj, siç është Asambleja Kombëtare.
Zgjedhja e kryetarit sa ka minimizuar problemet brenda PS?
Një gjë është fakt, që pas zgjedhjes së kryetarit të PS nuk mund të mendohet se problemet janë zgjidhur. Ato janë përballë dy opsioneve, ose të bëhen më e ashpra, ose të shkojnë drejt një platforme që i integron të gjitha kontributet në PS. Gjithçka do varet nga fryma, nëse do tentohet si një parti “e mirorientuar”, e cila do ta kthente kongresin në një kongres kundër grupeve armiqësore në Parti, apo një parti e bazuar në vlerat më moderne të funksionimit të saj, ku respektohet mendimi ndryshe, të integrimit të kapaciteteve, i një force politike e orientuar nga fryma e bashkëpunimit në emër të përgjegjësisë më shumë se sa kënaqësisë individuale. Pra, është një proces i cili varet se si do të orientohet. Nëse mendohet se një fitore me 93% e bën partinë më të fortë dhe liderin e saj të padiskutueshëm, i zoti të vendosë vetë për grupin parlamentar të hyjë apo jo në parlament, duke vazhduar me të njëjtin mentalitet sipas të cilit nuk na bëri humbës, por nuk na dha dhe fitoren, kjo sjell probleme. Ka shumë gjëra për të cilat duhet të diskutohet.
Kongresi do të jetë faza përmbyllëse e një procesi të gjatë analizash në Asambletë e bashkive dhe komunave, por dhe zgjedhjesh të kryetarëve të OS, ndoshta dhe një votëbesimi të kryesisë socialiste, ju do të paraqisni ndonjë propozim për legalizimin e fraksioneve të institucionalizuar brenda PS?
Ndryshimet statutore janë depozituar në kongres dhe ka akoma propozime të tjera. Kjo nuk është një luftë se kush duhet t’ia fshehë platformën e fitores apo suksesit njëri-tjetrit. Ne jemi nisur nga parimi i përgjegjësisë maksimale, i hapësirës maksimale dhe përkushtimit maksimal. Mendoj se është krejt e kundërta e asaj që ndjehet në lidershipin aktual të PS-së. Një gjë është e qartë se Lëvizja për Mendimin Ndryshe e ka shprehur qartë që kontributet tona që PS të mos radikalizohet, të mos izolohet, që të ndryshojë modeli i lidershipit, të rritet hapësira për mendimin ndryshe, pse jo deri dhe në krijim fraksionesh. Palët bashkohen kur respektojnë njëri-tjetrin dhe duke nënshtruar njëri-tjetrin.
Ju mendoni se analiza e zgjedhjeve duhej bërë para se të shkonim në zgjedhjen e kryetarit?
Për mua jo, sepse prapë po e theksoj se ambienti politik dhe orientimi politik sigurisht që ndikon. Pra, nuk do të sillte asgjë nëse do bëhej para apo pas. Tani presim të kuptojmë nëse ky radikalizim dhe ky vetizolim sa do të vazhdojë, presim të shikojmë nëse do të kemi të njëjtin model të këtij lidershipi, të cilat në njërën mënyrë apo tjetrën e bëjnë më të vështirë fitoren tonë në ballafaqimet e ardhshme. Ne jemi të angazhuar pro PS dhe jo kundër individëve të caktuar.
E konsideroni normal vendimmarrjen për protestë popullore nga një takim me bashkiakët socialistë të qyteteve të mëdha apo nga forumet e PS, kryesi apo asamble?
Realisht duket se partia është nën një drejtim shumë të vertikalizuar dhe të personalizuar. Deri tani akoma nuk janë mbledhur forumet e PS-së për të marrë një vendimmarrje të tillë.
Nëse deri tani na thonë për një bashkëfajësi për mos fitoren, nuk duam që nesër të jemi bashkëpërgjegjës për humbjen. Po e themi që tani që me këtë rrugë, me këtë mentalitet të lidershipit, minimizohen mundësitë për fitore.