E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga dy “dinastitë” i rivjen radha Papandreut…

Kastriot Islami 

PASOK do të drejtojë vendin Kryeministri Karamanlis, i dobësuar nga skandalet e korrupsionit dhe arritja e borxhit publik, në 100 për qind të PBB por edhe maxhoranca vetëm me një votë (grupi parlamentar i Demokracisë së Re kishte vetëm 151 deputetë, nga 300 që ka parlamenti grek) u detyrua të thërrasë zgjedhje të parakohshme dy vjet para afatit, me synimin për të marrë një mandat më të qartë për të ndërmarrë masa të rrepta për nxjerrjen e vendit nga kriza. Bllokimi në zgjedhjen e Presidentit ishte një pengesë tjetër që ka luajtur rol në vendimin për zgjedhjet e parakohshme. 
Sondazhet e para 15 ditëve tregonin se socialistët e PASOK ishin në avantazh me rreth 40 për qind të votave apo me rreth 5-7 për qind më shumë sesa partia konservatore Demokracia e Re, duke treguar se votuesit grekë prej afro 10 milionësh ishin të vendosur në shumicë relative, për të realizuar ndryshimin e qeverisjes, kryesisht nga gabimet dhe skandalet e qeverisë konservatore.
Nga sondazhet e para, pas votimit dhe rezultatet paraprake, PASOK duket të ketë fituar rreth 43 për qind të votave që jep mundësi të ketë shumicën e vendeve në Parlament, me rreth 160 vende, ndërkohë që Demokracia e RE me rreth 34 për qind të votave do të ketë rreth 92 deputetë nga 151 që kishte në Parlamentin e kaluar. Nga sondazhet rezulton se partia e tretë në renditje është ajo komuniste KKE, me rreth 7.5 për qind dhe rreth 20 vende. E katërta, ajo e ekstremit të djathtë LAOS me rreth 5.6 për qind ose rreth 16 vende. E pesta, Bashkimi i Majtë radikal Syriza me 4.5 për qind ose 12 vende.
Greqia është vendi ballkanik tipik për zotërimin e drejtimit politik nga disa familje dhe dy nga më shquarat janë ajo konsevartore e Karamanlis dhe ajo socialiste e Papandreut, natyrisht pa harruar as edhe atë të konservatorit Micotaqis, vajza e të cilit është Bakojanis dhe e socialistit Venizellos, konkurrenti i Papandreut për kreun e PASOK në betejën e fundit brenda Pasokut. Familjet e Papandreut dhe Karamanlist kanë drejtuar vendin gjatë 31, nga 47 vjetët e periudhës demokratike.
“Dinastia” Karamanlis dhe Micotaqis…
Kosta Karamanlis është nipi i Kostandin Karamanlis, i cili është kryetar i Demokracisë së Re në vitin 1997, kur kjo parti ishte e dobësuar dhe e përçarë nga humbjet përballë socialistëve të PASOK. Kosta Karamanlis është bërë Kryeministër në vitin 2004 për herë të parë dhe pasi ka realizuar zgjedhje të parakohshme është rizgjedhur në vitin 2007, pra drejton vendin si kryeministër prej 5 vjetësh. Gjyshi i tij, Kostandin Karamanlis, i lindur në vitin 1907, ka qenë tre herë kryeministër në periudhën 1955-1963 dhe pastaj largohet për në Francë, duke u rikthyer më rënien e rregjimit të kolonelëve në vitin 1974. Ai zgjidhet dy herë president dhe konsiderohet babai i Kushtetutës të Republikës Helenike. Ministrja e Jashtme aktuale, Dora Bakojanis, e cila pretendon në rast humbjeje të zgjedhjeve të marrë drejtimin e Demokracisë së Re e më tej të bëhet Kryeministre e vendit, është e bija e Konstandin Mitcotaqis. Kostandin Micotaqis, i lindur në vitin 1918 në Kretë, është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1946 dhe ka qëndruar për 56 vjet, duke qenë lider i Demokracisë së Re dhe Kryeministër i Greqisë në periudhën 1990-1993. Kostandin Micotaqis vinte nga një familje politikanësh, nga të cilët babai dhe gjyshi ishin deputetë kurse xhaxhai i tij Eleftirio Venizelos njihet si lider i madh liberal. 
“Dinastia” Papandreu...
Jorgo Papandreu, i cili me shumë gjasa do të jetë Kryeministri i ri i Greqisë, e ka marrë drejtimin e partisë socialiste PASOK në vitin 2004. Babai tij Andrea Papandreu në ekzil për shkak të rregjimit të kolonelëve me tu kthyer në atdhe themeloi Partinë Socialiste Panhelenike dhe arriti të formojë qeverinë e parë socialiste në vitin 1981. Andrea është rizgjedhur kryeministër në viutin 1981 dhe më tej në vitin 1993 ndonëse kishte pasur një skandal me një stjuardesë. Andrea vdiq në vitin 1996. Babai i Andreas, apo gjyshi i Jorgos së sotëm, quhej po ashtu Jorgo Papandreu, i lindur në vitin 1898, kishte qenë deputet dhe ministër midis Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Pas burgosjes nga regjimi nazist, Jorgo i “vjetër” largohet nga burgu dhe formon në Egjypt një qeveri të bashkimit kombëtar për t’u kthyer në vitin 1944 për çlirimin e Greqisë. Më tej formon një parti të qendrës dhe fiton zgjedhjet e vitit 1963. Gati për të fituar zgjedhjet e vitit 1967 arrestohet pas një grushti shteti të kolonelëve, që vendosin diktaturën ushtarake. I vendosur në arrest shtëpie, ai vdes në vitin 1968, ceremonia e të cilit kthehet në protestën e parë kundër diktaturës.
Jorgo Papandreu, Kryeministër 2009
Papandreu junior ka lindur në vitin 1952 në Saint Paul, Minesota të SHBA ku babai i tij Andreas Papandreou, punonte në Universitet. Nëna e tij Margaret është amerikane. Ai ka ndjekur studimet në shkollat në Toronto të Kanadasë, në Kolegjin Amherst në Masachuset, në Stockholm University, në London School of Economics (LSE), dhe së fundmi në Harvard University. Nga pikëpamja e formimit mund të konsiderohet i tejkualifikuar dhe aksenti amerikan e pengojnë të jetë gjithnjë e më pak “karizmatik” për mjedisin grek, ndryshe nga i ati Andrea, që mund të thuhet pa asnjë dyshim se ishte lideri i fundit karizmatik i Greqisë, që dinte të ngrinte fuqimisht emocionet e simpatizantëve deri në manifestime që arrinin në 1 milion vetë. Jorgo i ri është futur për herë të parë në Parlament në vitin 1981, kur i ati u bë Kryeministër. Ka pasur më tej një seri postesh ministrore, ku më i larti ishte ai i Ministrit të Punëve të Jashtme në vitin 1999, kur kryeministër ishte Simitis. Në vitin 2004, Simitis jep dorëheqjen dhe ja kalon Jorgos postin e kryetarit të Pasokut, ndërkohë që sondazhet e rendisnin si një politikanin më popullor në Greqi. Zgjedhja e tij e parë si kryetar koencidon në futjen e votimit një anëtar një votë. Në zgjedhjet e vitit 2007, Pasok do të humbasë dhe në parti Jorgo do të konkurrojë përballë Evangjelos Venizelos dhe Kostas Skandalidhis, duke dalë fitues prej saj. Tani sfida e tij si Kryeministër i shfaqet në një moment tepër të vështirë të krijuar nga kriza ekonomike dhe nga maxhoranca tepër e ngushtë qeverisëse. Por opozitës do t’i duhet kohë të tresë humbjen dhe të tejkalojë rivalitetin Karamanlis/Bakojanis, e cila përgatitet të arrijë në zgjedhjet e ardhshme postin e Kryeministrit, duke i dhënë familjes Micotaqis Kryeministrin e dytë dhe Kryeministren e parë grua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›