PS kongres analize në dhjetor
Aristir Lumezi
Socialistët do të mbledhin kongresin e jashtëzakonshëm në muajin dhjetor, i cili do të bëjë analizën e humbjes së 28 qershorit, por dhe do të miratojë ndryshimet në statut. Rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe rizgjedhjes së Edi Ramës sërish në krye të PS-së, socialistët do të lenë mënjanë manipulimin e zgjedhjeve nga Qeveria dhe Sali Berisha dhe do të mundohen të gjejnë defektet në punën e tyre. Ata do të zhvillojnë analizën e tyre, shkaqet që çuan në humbjen e dytë radhazi dhe do të shihet mundësia e miratimit të një pakete të re statutore me ndryshimet që më parë do të kalojnë në të gjitha strukturat socialiste për t’u diskutuar. Për të shkuar deri në ditën e kongresit, do të zhvillohet një analizë e plotë e aktivitetit të partinë në zgjedhjet e 28 qershorit në asambletë e komunave dhe bashkive, për të nxjerrë prej saj dobësitë, që çuan në humbjen e zgjedhjeve dhe pse asnjëherë nuk është thënë se faji ishte i partisë. Pas analizave në komuna dhe bashki, do të kalohet dhe në zgjedhjet për kryetarët e organizatave socialiste, mandati i të cilëve rinovohet çdo vit. Ndërsa një tjetër çështje me shumë rëndësi do të jetë dhe diskutimi i hapur që pritet të zhvillohet dhe për ndryshimet statutore. Ka disa propozime për ndryshime të mundshme statutore, siç ishte paketa Blushi, por dhe ajo e Maqo Lakrorit në garën për postin e kryetarit. Burime pranë selisë rozë, pohojnë se nuk përjashtohet dhe mundësia e një votëbesimi të kryesisë socialiste nga Asambleja kombëtare, e cila bëhet vetëm për të shuar zërat ndryshe dhe arritjen e një vendimmarrje pa shumë debate. Anëtarët e kryesisë kanë qenë në krye të listës së qarqeve, ku kandiduan në zgjedhjet e 28 qershorit dhe pritet që rezultati i gjithsecilit të analizohet më vete dhe jo në bllok përmes një votëbesimi. Ky mbetet një vendim i Asamblesë Kombëtare, e cila miratoi listën e kandidatëve për deputetë pa asnjë vërejtje dhe debat para zgjedhjeve, ndërsa pas tyre, nuk arriti të bënte analizën e humbjes së tyre, për shkak se debati u kanalizua në interpretime të neneve të statutit për largimin ose jo të kryetarit dhe bojkotin e Parlamentit. Asamblesë dhe kongresit të jashtëzakonshëm që erdhi pas saj, iu imponua qëndrimi i bojkotit të Parlamentit nga grupi parlamentar socialist.
Zhvillimet deri në kongres
Analiza në Asambletë e bashkive dhe komunave
Nxjerrje përgjegjësie për rezultatin
Zgjedhje e kryetarëve të organizatave socialiste, mandati i të cilëve sipas statutit është njëvjeçar
Diskutim me anëtarësinë i paketave për ndryshimet statutore, paketa “Lakrori”, paketa “Blushi” etj.
Votëbesim i kryesisë socialiste nga Asambleja Kombëtare
Krijimi i strukturave të reja partiake, mungesa e të cilave solli defekte në fushatën elektorale dhe rezultat