E Diel, 1 Nëntor 2026

Taulant Balla: Nuk tërhiqemi nga bojkoti

 

Partia Socialiste paralajmëroi dje se nuk do t’i japë fund bojkotit, një muaj larg zgjedhjeve të pjesshme në 15 nëntor. Deputeti socialist Taulant Balla gjatë një konference për shtyp dje në selinë rozë, deklaroi se Kryeministri Berisha po e mban të fshehur të vërtetën e 28 qershorit për të mos u zbardhur masakra zgjedhore e kësaj dite. “Refuzimi i këtij kushti bazë është prova më e qartë e masakrës elektorale që fshihet në kuti. Gjithçka që ne kërkojmë është transparenca, hetimi dhe administrimi i të gjitha materialeve zgjedhore. Nuk ka asnjë pengesë ligjore për hapjen e kutive”, tha Balla. Deputeti socialist e krahasoi procesin zgjedhor në vendin tonë me atë të Iranit për sa i përket standardeve, por edhe produktit diktatorial. “Ne nuk do të tërhiqemi nga këto kushte ku ndryshe votohet e ndryshe numërohet. Shqipëria nuk meriton të ketë zgjedhje si Irani, apo një kryetar si Ahmadin Nexhad. E ardhmja evropiane është në rrezik nga ky kryeministër, burokrat i vjetër punist, hajdut votash e trojesh”, u shpreh nga selia e PS, Balla. Deputeti socialist e cilësoi kërkesën e PS për transparencën e zgjedhjeve të bazuar në ligj dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Komisioni hetimor për zgjedhjet nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo çka kërkojmë është brenda kuadrit kushtetues e ligjor, që ka një komision hetimor, bazuar edhe në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të cilave e drejta e Parlamentit për të ngritur komisione hetimore është një prerogativë dhe një mjet i domosdoshëm që i nevojitet Parlamentit për të ushtruar dhe perfeksionuar pushtetin e tij legjislativ”, u shpreh Balla. Duke folur për standardet e zgjedhjeve Balla tha se: “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri, kur njerëzit hiqen nga puna se votojnë opozitën, apo kur burgjet zbrazen nga superkriminelët që shkojnë të vjedhin vota për pushtetin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›