Rama takon Krasniqin, vlerësohet bashkëpunimi mes dy vendeve në të gjitha sferat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim të veçantë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Takimi është zhvilluar në një atmosferë miqësore dhe ka zgjatur më shumë se një orë. Rama dhe Krasniqi kanë folur mbi zhvillimet e të dyja shteteve. Gjatë fjalës së tij për mediat, Rama nënvizoi se papunësia është një plagë e trashëguar në Kosovë, të cilën qeveria e Kosovës po e shikon me shumë vëmendje, ndërkohë që në Shqipëri është një plagë që thellohet përditë për shkak të një situate shumë të vështirë ekonomike. “Ishte gjithmonë një kënaqësi e veçantë dhe kjo nuk është një fjalë për protokoll. Por, është një fjalë zemre që patëm përsëri në mjedisin e punës sonë një mik nga Kosova. Një shok dhe një vëlla, si të gjithë ata që na vizitojnë kur vijnë nga ana tjetër e kufirit dhe me të cilët s’kemi asnjëherë dallimet që kemi këtu mes nesh. Janë për ne të gjithë miq dhe vëllezër të çmuar. Ishte po ashtu me shumë interes të bashkëbisedonim lidhur me sfidat e përbashkëta, por dhe sfidat e ngjashme që kanë të dyja vendet tona”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Ishte kënaqësi që ndërkohë të ndanim atë që është mendim i konsoliduar; atë që është edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, pavarësisht forcave politike; kënaqësinë e një perspektive të qartë për Shqipërinë dhe Kosovën, si vende që shohin drejt Europës dhe si një popull, i cili do të integrohet mes popujve europianë. Sfida është që ky integrim të jetë sa më i shpejtë dhe të jetë sa më i vlefshëm për shqiptarët këtej dhe andej kufirit”. Nga ana tjetër, kryetari Krasniqi u shpreh se biseduan për të gjitha zhvillimet në një mënyrë më të veçantë, për sfidat që i ka populli shqiptar në përgjithësi, siç është sfida e zhvillimit ekonomik, sfida e zvogëlimit të papunësisë. “Natyrisht, Kosova në këtë rast ka dhe sfida të tjera, pasi është shtet në ndërtim, është shtet i brishtë, shtet që ende ka vende të vetë Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur, megjithatë, mbështetjen që marrim nga institucionet e Shqipërisë, mbështetjen që marrim nga gjithë liderët politikë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo ku janë, kemi bindjen që do t’i kapërcejmë”, - tha Krasniqi, duke shtuar: “Natyrisht, në këto momente ne mund të flasim edhe për rëndësinë e integrimeve ndërkombëtare, ndërshqiptare, kështu që ne mendojmë se jemi duke punuar në këtë rrafsh”. Ai theksoi bashkëpunimin mes dy vendeve, integrimin kombëtar, në sferën e zhvillimeve ekonomike, në sferën e arsimit, të kulturës, por edhe në sferat e tjera.
10 Prill 2010