Rama: “Nuk jam kundër votimit si në Estoni, por është i parealizueshëm”
Kreu i PS-së: “Berisha vazhdon të mashtrojë me shifrat për rritje ekonomike”
Kryesocialisti: “Ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit përfshihen në programin e PS-së”
Votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme, kryetari i Partisë Socialiste e ka cilësuar të pamundur për Shqipërinë. Ndaj votimit si në Estoni, kreu i PS-së nuk ka mbajtur qëndrim kundërshtues, por Shqipëria, sipas tij, është një vend i varfër dhe nuk mund të krahasohet me shtetin e Estonisë. Votimi me elektronikë për zgjedhjet e ardhshme ka qenë propozimi i kryeministrit Sali Berisha të enjten në Kuvend. "Zgjedhjet elektronike si në Estoni? Nuk kam asgjë kundër, por është utopi e parealizueshme në Shqipëri”, - u shpreh Rama. Ai argumentoi se Estonia është një vend tepër i zhvilluar, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka asnjë shans të përfytyrohet shtrirja e internetit dhe garantimi i votimit përmes internetit. “Ekranet në zgjedhjen e kaluar nuk kishin asnjë funksion përveç marrjes së procesit të votimit dhe ruajtjes së tij, e cila mund të shikohej nga palët dhe ndërkohë, në ato pika ku ne kërkojmë transparencë, nuk ka kasetë, shiriti i xhirimit është i zi”, - u shpreh Rama. Kryetari Rama ka këmbëngulur në transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai është ndalur edhe në krizën ekonomike, ku ka kërkuar transparencën e shifrave reale të ekonomisë, të cilat, sipas tij, fshihen nga kryeministri Sali Berisha. Lideri socialist fajëson keqqeverisjen dhe mosvetëdijen e qeverisë së kryeministrit Berisha për ta fshehur krizën, çka e çon ekonominë shqiptare “buzë greminës”, ndërsa vazhdon të mashtrojë me shifrat për rritje ekonomike.
Kriza ekonomike
Rama është ndalur te shifrat e rreme të rritjes ekonomike, që Berisha e ka cilësuar “mrekullia ekonomike”. "Duke dëgjuar paradën e shifrave ekonomike, ndjemë të gjithë shqetësimin për nivelin më të lartë të pavetëdijes lidhur me atë që po i bën vendit keqqeverisja dhe kriza që po thellohet më shumë duke u fshehur”, - tha Rama, duke shtuar se shifrat e dhëna dje nga Berisha për importin dhe eksportin janë të rreme. Rama, duke iu referuar shifrave konkrete, thotë se janë rritur ndjeshëm çmimet e ushqimeve, ndërkohë që në 6-mujorin e ardhshëm do të ketë dhe një rritje të papunësisë. Ai paralajmëron qeverinë për rrezikun që mund të ketë një huamarrje e re, e cila në kushtet ekonomike të vendit tonë vetëm sa do ta çonte ekonominë shqiptare drejt humnerës. “Është paralajmëruar marrja e një borxhi tjetër, në kushtet kur të gjitha zërat e arsyes paralajmërojnë rrezikun e një huamarrjeje të re, të papërballueshme për momentin, të vendit tonë. Dua të rivë theksin në faktin se thellimi i rrugës në larjen e borxheve me borxhe po precipiton makinën e ekonomisë shqiptare drejt humnerës”, - tha Rama.
Kryesocialisti ka reaguar edhe në lidhje me transferimin e fondeve të Bankës Botërore, të cilat ishin planifikuar për qeveritë e majta drejt Shkodrës. “Plaga e hapur në Shkodër duhet mbyllur, sepse gjithë ajo përmbytje nuk ishte rezultat i vullnetit të zotit, por i tafmasë së robit. Edhe sikur të ishte ndryshe, duhej të ishte mbyllur, por jo duke hapur plagë në qytete të tjera, të cilat janë shumë të plagosura, dhe jo si rezultat i qeverisjes vendore, por i qeverisjes së Berishës”, - u shpreh Rama.
E majta liberale
Kryesocialisti Rama ka sqaruar orientimin e PS-së si një forcë e qendrës së majtë e liberale dhe thotë se ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit janë përfshirë tashmë në program si shtresa që për vite me radhë janë keqpërdorur nga qeveritarët. "Kjo është një Parti Socialiste e shekullit të ri që nuk ka asnjë paragjykim dhe që nuk ngrihet mbi një ideologji, po ideale dhe ide, që do të thotë se qoftë të përndjekurit e regjimit komunist, qoftë ata që rëndom quhen ish-pronarë, po në fakt janë pronarë të privuar nga e drejta e pronës së tyre sot e gjithë ditën, janë pjesë e një shoqërie që ne na intereson si një e tërë dhe, nga ana tjetër, përbëjnë grupe interesi, problemet e të cilëve janë keqadresuar në vite dhe ne dëshirojmë dhe disponojmë të gjitha idetë e nevojshme t’i adresojmë më mirë", - tha Rama. Përsa i përket Kongresit të 18 prillit, kreu i PS-së tha se pritet të kalojë për miratim ndryshimet në programin e kësaj partie, të cilat morën votën e Asamblesë së para pak ditëve.
Tubim në Gramsh, banorët mbeten pa shtëpi nga rrëshqitjet e tokës
Me mbështetjen e deputetit të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, është zhvilluar një tubim nga banorët e Gramshit, të cilët kanë mbetur pa shtëpi nga rrëshqitjet e tokës. Rrëshqitjet e tokës në Kukur të Gramshit kanë lënë dhjetëra familje pa shtëpi. Tokat dhe gjithë mundin e tyre i ka marrë uji. Ka një muaj që toka rrëshqet në Kukur. Ka një muaj që banorët flenë në qiell të hapur apo në kolibe të sajuara me plastmas. “Njerëzit janë ngritur në një revoltë. Kanë të drejtë të revoltohen, pikërisht për këtë harresë në të cilën i ka lënë qeveria shqiptare. Ky fshat ka kohë që është ndodhur përballë fenomeneve të natyrës; shtëpitë janë shkatërruar, të mbjellat janë shkatërruar me gjithë përpjekjet që kanë bërë edhe pushteti vendor për të kërkuar ndihmë, asnjë ndihmë nuk ka ardhur. Askush nga qeveria nuk e ka vrarë mendjen, as nga prefektura, as nga gjithë strukturat”, - u shpreh Gjiknuri.
“Kjo gjendje që është këtu sot po bën një muaj, janë rreth dhjetëra familje që po rrinë në çadra, ca rrinë përjashta fare, mallin e kanë përjashta. Dhe këta që iu janë prishur shtëpitë nuk kanë vend ku të ngrenë çadrat se nuk ka pjesë toke më, se toka ka ikur. Nuk kemi asnjë të ardhur, mbahemi vetëm me borxhe, ose kemi ndenjur pa bukë”, - shprehet një prej banorëve. Një tjetër banor thotë: “Po bëhet një muaj e tri ditë që po rrimë në këto shtëpi. Ja ku është kolibja. S’kam ku vete. E kam çadrën, s'kam ku ta ngre. Shteti të vërë dorë te këta njerëz, ashtu si shteti ka nevojë kur vjen ajo ditë për votën, ashtu kam nevojë edhe unë sot. Sot e një muaj po rrimë vetë i shtati këtu në këto shtëpi të shkatërruara. I pata shtëpi të reja dhe u fundosën krejt nën dhe”.
10 Prill 2010