E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon Papandreun në Bruksel

Në ditën e parë të kongresit, u analizuan pasojat e krizës ekonomike e financiare, ku qeveritë e djathta dhe të zgjedhurit e tyre u konsideruan fajtorë.

Kryetari i deritanishëm i Partisë Socialiste Evropiane, Poul Rasmusen, në fjalën e lamtumirës tha se Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi janë përgjegjësit kryesorë për situatën në Greqi, çfarë rrezikoi më pas dhe vende të tjera të Eurozonës.

Ish-kryeministri grek, Papandreu, i pranishëm në konventën eurosocialiste, argumentoi pas takimit me kryetarin e PS Rama, se shembulli grek flet për rëndësinë e qeverisjes me transparencë.

Pas takimit me kryetarin e opozitës shqiptare, Jorgos Papandreu theksoi se çështja e transparencës është kyçe. “Në Greqi ne nuk patëm transparencë për buxhetin, e as për sektorin publik. Kjo shkaktoi një problem të madh me deficitin, gjë të cilën ne mund t'a kishim ndaluar, nëse do të kishim pasur transparencë”, deklaroi Papandreu.

Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se “është shumë e rëndësishme sot që shqiptarët dhe klasa politike në vend të jenë të gjithë bashkë për të bërë transparencën e të gjitha të dhënave të realitetit ekonomik, përndryshe shume shpejt do të gjendemi përpara një stuhie që do të ishte e tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë aspekt, eksperienca e qeverisë së djathtë të mëparshme greke, e cila fshehu të gjitha të dhënat, është një përvojë që duhet të na mësojë shumë”./Start/

                                                                                             2011-11-26 08:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›