Rruga e Kombit- një dështim, impakti në shkëmbimin ekonomik tepër i ulët
Dhjetë muaj të vitit në atë rrugë rrallë të sheh syri ndonjë makinë. Duket si një vepër gjigante që e kanë sjellë jashtëtokësorët aty. Në të vërtetë këto dy vite, kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk na kanë dhënë se çfarë impakti ekonomik ka pasur kjo rrugë që u ka kushtuar shqiptarëve mbi 1.2 miliard euro. Ndërkohë, një analizë e agjencisë Balkan Insight arrin në përfundimin se rruga e kushtueshme ka pasur një impakt tejet modest në tregtinë mes dy vendeve.
Fakt është se në këto zgjedhje, përgjatë gjithë vijës ku kalon rruga, u votua kundër qeverisë. Rruga nuk ka sjellë ndonjë impakt të ndjeshëm tek banorët që jetojnë aty, që njihen si zona më e varfër në mbarë Shqipërinë. Po ashtu, edhe pse janë investuar mbi 1.2 miliard euro e vazhdon të investohet, sërish rruga nuk është e plotësuar, disa vepra të rëndësishme si ura përpara se të hysh në Kukës, nuk dihet kur do bëhet. Rruga vijon në disa pjesë me dy korsi e më pas hapet me katër, duke u bërë e rrezikshme. Mbikalimet mungojnë dhe rruga është çarë ose shembur në disa raste. Tuneli do bëhet me pagesë, çka do rëndojë në xhepat e varfra të kësaj zone, të cilët mezi paguajnë një biletë transporti.