E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama takon Thaçin në Burgun e Hagës: Ishte i bindur për të provuar pafajësinë!

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të provojë përpara drejtësisë ndërkombëtare pastërtinë e plotë dhe idealin e luftëtarëve dhe udhëheqësve të UÇK. 

Deklaratën e tij zoti Rama e bëri pas takimit të martën me Hashim Thaçin, i cili gjendet prej dy vjetësh në Burgun e Hagës.  

 “Ishte një ç’mallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë. I bindur mbase dhe më shumë kur e kam takuar përpara se të vinte këtu se ishe një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht dhe pastërinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të UÇK” tha zoti Rama. “Nuk ka shumë për të thënë, natyrisht që të gjtihë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, gjakut të dhënë dhe të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane” shtoi kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ish-pesidenti i Kosovës Hashim Thaçi u arrestua në nëntor 2020 nga Gjykata Ndërkombëtare me akuzën për krime lufte.

Bashkë me disa udhëheqës të tjerë të UÇK, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Thaçi po hetohet nën akuzën për vrasje të kryera gjatë luftës së Kosovës kur ajo u pushtua nga Serbisë në vitet 1998-1999.

Ata i kanë hedhur poshtë akuzat e formuluara ndaj tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›