Presidenti i ri, më 16 maj raundi i parë i votimit në parlament

Më 16 maj ora 17:00, në parlamentin shqiptar do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë.
Vendimi është marrë të martën në Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Caktimi i kësaj date erdhi si propozim nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Ballës. “Unë i qëndroj propozimit të bërë për të zhvilluar raundin e parë më 16 maj ora 17:00 në një seancë të posaçme siç e përcakton neni 86 dhe 87 i Kushtetutës dhe nenet e rregullores së Kuvendit. Kjo datë është një datë e përshtatshme dhe brenda atij afati që ka përcaktur Kushtetuta”, tha Balla.
Ndërsa është caktuar data e votimit, ende nuk janë mësuar emri apo emrat që do të konkurojnë për postin e kreut të shtetit. Ata pritet të mësohen më datën 15 maj, ora 16:00, e caktuar si afati i fundit për deputetët për të dorëzuar propozimet zyrtare.
Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
Kujtojmë se zgjedhja e Presidentit të Republikës kalon deri në 5 raunde votimesh.
Në raundin e parë, të dytë dhe të tretë, që një kandidat të zgjidhet president, duhet të marrë më shumë se 3/5 e votave, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë, zgjidhet me jo më pak se 50% të votave.
/rtsh.al/