Rama takon Topin për zgjidhjen e krizës
Kryetari i PS-së, Edi Rama, takoi dje Presidentin Topi për situatën në vend. Por, qëndrimi Presidentit të Republikës mbetet i njëjtë
Rama: Topi duhet të garantojë të drejtën e secilit. Topi: Forcat politike duhet të dialogojnë
TIRANË- Ngërçi politik, që ka përfshirë vendin ka detyruar kreun socialistë, Edi Rama, që të kërkojë për të dytën herë ndërhyrjen e kreut të shtetit Bamir Topi, i cili duket se është i pafuqishëm për të zgjidhur këtë moment, duke i qëndruar besnik kornizës ligjore.
Në një kohë që opozita ka paralajmëruar një valë të re protestash, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka bërë edhe një përpjekje të fundit duke kërkuar një zgjidhje institucionale të situatës, që është krijuar si pasojë e mospranimit nga ana e qeverisë të kërkesës për hapjen e kutive, por edhe të një sërë kërkesash të tjera të aktorëve të ndryshëm të interesit qofshin këto edhe të karakterit juridik apo social-ekonomik.
Kështu Rama ka bujtur dje me kërkesën e vet në zyrën e Presidentit të Republikës Bamir Topi, dhe në një takim që ka zgjatur vetëm 30 minuta, ashtu si dhe gati tre muaj më parë, ai ka paraqitur një dosje tjetër voluminoze me dokumente që, sipas tij, faktojnë se shteti i së drejtës në vend ka rënë.
Meqenëse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, kreu socialist është detyruar që të shpjegojë pas daljes nga zyra e Topit se i kishte paraqitur atij qëndrimin e PS-së, por edhe të gjithë mbështetësve të saj për problematikat dhe rrezikun që i kanoset sot demokracisë në vend, si pasojë e cenimit të shtyllave kryesore të saj siç është vota dhe drejtësia.
"E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës, për t'i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit", - tha shefi i selisë rozë në një prononcim për mediat.
Gjithashtu ai ka bërë të ditur, se në këto kushte, kur shteti ligjor nuk funksionon në kapacitet e duhura, kur institucionet e dala prej zgjedhjeve të 28 qershorit veprojnë pa legjitimitet dhe kur opozita cilësohet nga kryeministri si mafie, është detyrim i kreut të shtetit që të luajë rolin e tij si garant i ligjit themeltar të shtetit.
"Pa dyshim, që ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon", - tha Rama.
Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i institucionit të Presidencës, ku me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare në internet, ka dhënë variantin e vet mbi çështjet e diskutuara në këtë takim të shkurtër, por duke theksuar në të njëjtën kohë se kreu i shtetit do të vijojë të qëndrojë në pozitat që ka qenë deri më tani, duke përcjellë vetëm mesazhe mirëkuptimi.
"Zoti Rama i shprehu Kreut të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet rreth gjendjes aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë si dhe zhvillimeve më të fundit e situatën në vend.
Pasi dëgjoi qëndrimin e Kryetarit të Partisë Socialiste lidhur më këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe njëherë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës", - thuhet në njoftimin për shtyp, duke i dhënë kështu një përgjigje kërkesave që kreu i opozitës paraqiti në këtë takim.
Ndërkohë që në një takim gjatë pasdites së djeshme Presidenti i Republikës Bamir Topi duke marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare "Sfidat dhe problemet ekonomike dhe shoqërore 2009 - në kohën e krizës globale dhe të integrimit", ka ripërsëritur sërish mesazhin e tij se forcat politike duhet të dialogojnë për të gjetur një zgjidhje jo vetëm për interesat e tyre, por për të gjithë shqiptarët.
"Asnjëherë në pozicionin që kam, nuk kam dashur që të hap polemika, apo diskutime të karakterit politik, të cilat mund të sjellin edhe një konfuzion në debat. Por në rend të ditës ka shumë probleme.
Natyrisht që ka probleme që lidhen me ekonominë, lidhen me reformën në drejtësi, lidhen me reformën për të drejtën e pronësisë dhe padyshim në bazë të tyre duhej të ishte mendimi i kualifikuar i ekonomistëve tanë.
Kështu që orientoheni debatin, jepni mesazhe edhe për politikën, sepse boll ne bëjmë diskutime për ekonominë e tregut, por ka disa gjëra që janë totalisht në vullnet të politikës.
Dikush mundet edhe me të drejtë që të mërzitet nga apelet e vazhdueshme që unë jap për bashkëpunim, por bashkëpunimi është domosdoshmëri e kohëve të sotme", - tha presidenti duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë.