Qeveria i merr kompetencat pushtetit vendor
Me ndryshimet e bëra në ligj, Inspektorati Ndërtimor merr kompetenca të plota për të ndërhyrë në çdo rast
TIRANË- Qeveria i jep kompetenca të plota Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të ndërhyrë në rastet kur ka shkelje në ndërtime. Në bazë të ndryshimeve të bëra në ligjin "Për inspektimin e Ndërtimit" ekzekutivi ka krijuar një forcë të ndërhyrjes së shpejtë pranë këtij Inspektorati, i cili do të ketë të drejta të plota për zbatimin e masave të marra ndaj ndërtimeve që do të konsiderohen se rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Duke marrë shembull rastin e shembjes së pallatit në Gjirokastër një vit më parë, Berisha tha se praktika e vendeve të tjera të cilat e kanë pasur të decentralizuar Inspektoratin e Ndërtimit janë përballur me kaos në sektorin e ndërtimeve. "Ka një praktikë të vendeve të tjera, të cilat me decentralizimin e Inspektoratit kanë përjetuar këtë që po përjetojmë ne, kaos dhe vetëm kaos në ndërtime.
Ajo që ndodhi në pallatin e Gjirokastrës, për shkak të papërgjegjësisë së autoriteteve vendore apo të tjera mund të përsëritet në këtë vend periodikisht. Qeveria do të autorizojë Inspektoratin për ndërhyrje më të fuqishme, e më energjike", - tha ai.
Duke listuar një për një rastet kur pritet ndërhyrja e këtij Inspektorati tashmë fuqiplotë, Berisha theksoi se ndryshimet e bëra në ligj do të kalojnë me përparësi në Parlament.
"Inspektorati Qendror do të ndërhyjë në të gjitha rastet kur shkelen kondicionet urbanistike, në të gjitha rastet kur kërcënohet siguria publike, në të gjitha rastet kur vidhet dhe përvetësohet toka publike, përderisa ne kemi në fuqi ligjin e vitit 1995".
Duket se ndryshimet në ligjin "Për inspektimin e ndërtimeve" janë frymëzuar nga ngjarja e ndodhur së fundmi, ku Inspektorati Ndërtimor Kombëtar nisi prishjen e një pallati 12-katesh në qendër të kryeqytetit me arsyetimin se ai ishte ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme.
Edhe pse Inspektorati i qeverisë ndërhyri për prishjen e pallatit që kishte marrë leje nga bashkia, kjo ndërhyrje ishte tërësisht e jashtëligjshme dhe në shkelje të kompetencave.
Dhënia e më shumë kompetencave ndaj Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, cilësohet nga drejtuesit vendorë si një shkelje e autonomisë së pushtetit lokal. Pas këtyre ndryshimeve sipas tyre Inspektorateve të bashkive iu kufizohet edhe më tej e drejta për të ndërhyrë në raste shkeljesh.
Me gjithë kompetencat e shumta që ndryshimet në ligj i njohin Inspektoratit Qendror të Ndërtimit, Berisha tha se qëllimi nuk është heqja e të drejtave të Inspektorateve lokale.
"Unë nuk jam që ne t'i heqim kompetencat Inspektoratit lokal, por jam që çështjet e sigurisë publike, ato janë dhe duhet të jenë përparësi absolute e qeverisë, ndaj edhe nuk mundet që në asnjë mënyrë të luhet më tutje", - shtoi ai.