E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon ambasadorin e KE-së, Lohan

Ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar për situatën e tanishme duket se po mban të hapura edhe kontaktet jozyrtare. Pas thirrjeve publike për gjetjen e një zgjidhjeje, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka zhvilluar dje një takim në selinë rozë me kreun e saj, Edi Rama. I mbajtur jashtë vëmendjes së medias dhe pa një njoftim paraprak, takimi në fjalë lejon vetëm hipoteza rreth asaj që ka qenë temë kryesore e tij. Natyrisht një vizitë e këtillë informale lidhet me situatën aktuale politike, e cila është mbërthyer në termin krizë, prej së cilës për më shumë se 8 muaj vendi nuk po shkëputet dot. Nga ana tjetër, një ide rreth nisjes së angazhimit të faktorit ndërkombëtar e nxit edhe vendimi i fundit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për të rifilluar protestat në mbarë vendin me objektiv kryesor kalimin në zgjedhje të parakohshme. Qëndrimet konstante të faktorit ndërkombëtar për normalizimin e situatës dhe ecuria e pandryshueshme e marrëdhënieve të vështira mes palëve japin një ide rreth rolit të ri që mund të përftojë diplomacia europiane. Me interes është në fakt presioni i barabartë që po ushtrohet si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj opozitës socialiste, duke sjellë në vëmendje një praktikë të re ndërmjetësimi që konsiston në neutralitetin dhe lënien e zgjidhjes në dorë të politikës shqiptare. Por, në prag të hapave të rinj integrues që presin Shqipërinë, ku komuniteti europian ka investuar mjaft, është i pritshëm një theksim i rolit të tij tradicional që në këto 20 vite ka qenë realisht protagonisti i stabilitetit politik në Shqipëri. Që pas vitit 2007, me zgjedhjet lokale rasti i tanishëm vjen si momenti i parë ku palët në konflikt po riciklojnë situata krize të vërteta, të cilat po i faturojnë vendit kosto shtesë përveç kostove ekonomike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›