E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi sqarohet: Nuk kam vjedhur asgjë, ishin gjërat e mia

Edi i thotë se ai klip e kishte mërzitur shumë, pasi banorët e kishin quajtur hajdut, por ai kishte “vjedhur” vetëm gjërat e tij duke filluar që nga pijet dhe deri te cigaret. Ai thotë se nuk e ka kuptuar pjesën e ilaçeve të Domenikës dhe kërkon që të flasë me të për t’u sqaruar

Grindje, thashetheme, debate, sqarime kështu kanë kaluar mes banorëve momentet brenda shtëpisë së “Big Brother”. Manal ka debatuar me Klodin mbi homoseksualizmin, ndërsa Kika me Domenikën janë sqaruar e në të njëjtën kohë kanë folur mbi çmimin e madh të “Big Brother”, të cilin Kika do të donte ta çonte në Prishtinë këtë vit.

Thashetheme dhe zënka

Domenika, Seldi, Tatiana dhe Klodi rrinë ulur në sallon dhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Tatiana i thotë Domenikës se te tipi i Oltës ka vënë re diçka. Ajo thotë se Olta nuk thotë as faleminderit, as të lutem dhe një herë që Olta i kishte thënë “të lutem”, ajo ishte çuditur. Domenika e sheh dhe i thotë se Olta të kërkon diçka jo si nder, por si detyrim. Në bisedë merr pjesë edhe Seldi i cili pohon fjalët e vajzave dhe thotë se Olta i kërkon gjërat sikur t’ia kenë për detyrë. Tatiana thotë se ajo mendon që Olta e ka në tip këtë gjë dhe nuk e bën për të dhënë urdhra apo me qëllim.

Nominimi i Eduardit

Kika dhe Erioni kanë dalë jashtë pranë pishinës dhe ndër të tjera bisedojnë për nominimin e Eduardit. Pasi thonë se Edi u mërzit shumë prej klipit që u transmetua gjatë spektaklit ku banorët e quanin “hajdut”, ata flasin për nominimin e tij. Të dy thonë se Edi është shumë njeri i mirë, por Kika thotë se ai nuk ka çfarë t’i japë më shtëpisë së BB, ndërsa Erioni thotë se ndoshta Edi do të jetë më aktiv këtë javë që është në nominim. Hakiu thotë se ai nuk e beson se Edi do të ndryshojë duke u nisur nga aktivizimi i Edit gjatë këtyre dy muajve, ndërsa Erioni të kundërtën. Teksa ata flasin, jashtë del edhe Edi dhe Kika e fton në bisedë duke i thënë se me Erionin po flisnin pikërisht për të. Edi ulet dhe fillon të bisedojë me ta. Kika i thotë Edit se thuhet se gjatë javës në vazhdim do të eliminohen tre vetë dhe se Edi rrezikon që të dalë nga loja, nëse nuk aktivizohet gjatë kësaj jave. Pasi dëgjon Kikën Edi i përgjigjet se atij nuk i intereson nëse kjo do të ndodhë apo jo, por ai nuk do të jetë më si më parë në raport me lojën dhe qëndrimin ndaj banorëve të tjerë. Ndër të tjera, Edi thotë se përpara se të iki nga shtëpia e BB do të mundohet që të bisedojë me disa nga banorët që pas krahëve të tij kishin thënë shumë fjalë të papëlqyeshme dhe ofenduese për të.

Manal, Klodi debat për homoseksualizmin

Pas disa bisedave të ndryshme midis Manal dhe Klodit lind një debat. Manal flet për sjelljet që feja e saj i quan mëkate. Erioni e ngacmon me të qeshur duke i thënë se a është “haram” nëse një femër krijon marrëdhënie me një femër tjetër. Manal i thotë se marrëdhëniet mes njerëzve të të njëjtit seks janë mëkat, sepse sipas saj vetë natyra ka krijuar mashkullin dhe femrën për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, sepse ndryshe mund të kishte vetëm meshkuj ose vetëm femra. Manal thotë se i gjithë qëllimi i specieve është që një mashkull dhe një femër të krijojnë pasardhës. Duke dalë jashtë ligjeve të natyrës, për të është një mëkat. Shprehjet e saj nuk pranohen aspak nga Klodi, i cili i thotë se ajo mendon ashtu, jo “dynjaja” dhe më tej vazhdon se ai është pjesë e shoqërisë dhe është i tillë. Manal i thotë se ai është pikërisht në këtë jetë si rezultat i marrëdhënies së një mashkulli me një femër. Manal thotë se ajo mendon se njerëzit besojnë në Zot dhe bota është krijuar për të vazhduar ekzistencën e llojit dhe ajo kështu e mendon. Klodi i thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se edhe ai beson në ekzistencën e Zotit dhe se është pikërisht Zoti ai që e ka krijuar të tillë. Manal qesh dhe thotë se pavarësisht besimit që mund të kesh, qëllimi i jetës është fëmija.

Edi sqaron klipin

Jetmiri dhe Eduardi bisedojnë jashtë dhe Jetmiri i thotë Edit se ai do ta mbështesë gjatë gjithë kohës dhe gjatë kësaj jave të dy mund të flasin sa herë të dojë Edi dhe për çfarë të dojë. Jetmiri e pyet Edin që t’i tregojë për klipin që Edin banorët e tjerë e quanin si “hajdut”, pasi Miri në momentet e transmetimit ishte duke u marrë me provën e javës. Edi i thotë se ai klip e kishte mërzitur shumë, pasi banorët e kishin quajtur hajdut, por ai kishte “vjedhur” vetëm gjërat e tij, duke filluar që nga pijet dhe deri te cigaret. Ai thotë se nuk e ka kuptuar pjesën e ilaçeve të Domenikës dhe kërkon që të flasë me të për të sqaruar këtë pikë. Për sa u përket pijeve, Edi thotë se ishte e drejtë e tij që t’i ruante dhe t’i shkëmbente me cigare. Për sa u përket cigareve ato ishin të Edit, por komodina e tij ishte zhvendosur në një pjesë tjetër të dhomës. Edi thotë se është ndier keq nga e gjithë kjo histori. Teksa Edi dhe Miri flasin jashtë vjen Seldi dhe Jetmiri e thërret që të bisedojnë. Edi i thotë Seldit se përse ky i fundit nuk ka sqaruar këtë pjesë me të, por ka thënë fjalë shumë ofenduese ndaj tij gjatë klipit. Seldi i thotë se ai nuk e njeh Edin dhe është shprehur në atë mënyrë, sepse ashtu mendon për të, kupton diçka të keqe me fjalët e tij. Edi i thotë se është ofenduar shumë nga shprehjet e Seldit dhe se nëse do të kishte vetëm pak respekt për të, Seldi nuk do të ishte shprehur ashtu. Mes të dyve nis një debat ku Seldi vazhdon të thotë se ai nuk e njeh Edin dhe se ky i fundit nuk duhet të bëjë lojën e një njeriu të mirë me të gjithë. Edi i thotë se ai ka këtë tip dhe nuk është ashtu siç mendon Seldi. Seldi thotë se ai e ka realisht mendimin se Edi i ka “vjedhur” disa objekte. Edi thotë se i vjen keq që banorët e kanë krijuar këtë mendim. Jashtë dalin edhe banorë të tjerë, të cilët diskutojnë dhe qeshin me këtë histori mes tyre. Edi thotë se do të donte që t’i ftonte të gjithë banorët jashtë që të hapnin një debat për këtë çështje. Djemtë flasin për klipin dhe veprimet e Edit duke bërë shaka, ndërsa Edi mundohet të sqarojë situatën me banorët e tjerë. Jetmiri i thotë se ai nuk duhet të mërzitet nga komentet dhe të qeshurat e banorëve të tjerë, por Edi i mërzitur thotë se nuk e mendonte që kjo gjë do të kishte arritur deri aty.

Debat mes Seldit dhe Klodit

Këtë herë është Seldi dhe Klodi që debatojnë me njëri-tjetrin. Edi i pret flokët Seldit dhe Klodi i kërkon Seldit që të pastrojë qimet. Kështu të dy debatojnë, sepse Seldit nuk i pëlqeu mënyra se si Klodi ia kërkoi këtë gjë. Seldi i thotë se Klodi po kërkon që të “gricet” me të ndërsa Klodi e mohon. Në debat ndërhyn Mandi i cili kërkon që të qetësojë situatën dhe i thotë Klodit se Seldi ndoshta do t’i pastrojë vetë qimet pa qenë nevoja t’ia kërkosh. Seldi me zë akoma më të lartë i thotë Klodit se gjatë ditës së sotme është munduar që të grindet me të disa herë. Klodi nga ana tjetër thotë se Seldi kërkon që ata të bëjnë shaka dhe të flasin kur do ai dhe siç do ai. Seldin e acaron më tepër kjo shprehje e Klodit dhe afrohet që t’i kërkojë shpjegim. Në debat ndërhyn Domenika, e cila i thotë Seldit që të mos reagojë në atë mënyrë me Klodin, sepse çdo njeri ka momentet e veta dhe mënyrat e veta të të vepruarit. Ajo u kërkon djemve që të përpiqen që të jenë më të matur dhe të flasin si dy të rritur dhe jo të grinden për arsye të parëndësishme.

Sqarime nën rrezet e diellit

Banorët zgjohen dhe shkojnë të shijojnë ditën me diell pranë pishinës. Kika fillon të bisedojë me Domenikën për disa nga shprehjet e kësaj të fundit në dhomën e rrëfimit dhe që u zbuluan gjatë spektaklit në një klip. Kika i thotë Domit që ajo të sqarojë se përse e ka quajtur atë njeri që bën lojë dhe hipokrit. Domenika i thotë se ajo nuk e ka quajtur asnjëherë “hipokrit”, ndërsa për sa i përket klipit thotë se aty i është referuar më tepër qëndrimit të Kikës gjatë javëve në nominim. Domi i thotë Kikës se asaj i është krijuar përshtypja që ai kur është në nominim qëndron i qetë, ndërsa kur nuk është shpërthen dhe bëhet shumë aktiv. Kika i kërkon që të shpjegohet më tej dhe Domenika i thotë se ndoshta ka qenë rastësi që Kika është kapur në debate me banorët e tjerë kur nuk ka qenë në nominim, ose është thjesht një përshtypje që asaj i është krijuar. Kika fillon të sqarojë edhe fjalët që ka thënë ai për Domenikën. Ai thotë se është ndier i zhgënjyer nga Domenika si artiste. Ai thotë se Domenika si artiste nuk ka dhënë aq sa ajo mundet në shtëpi. Domi thotë se edhe ajo është ndier keq nga fjalët e tij. Ajo i thotë Kikës se ai është i vetmi person në jetën e saj që është shprehur në atë mënyrë aq të ashpër ndaj saj, pa e njohur plotësisht. Kika i thotë se situatat që janë krijuar në shtëpi janë nxitur nga disa banorë dhe ai mendon se një prej tyre ka qenë edhe Domi. Domenika thotë se ajo nuk është e tillë dhe se nuk ka arritur që të ndikojë në mendimet e të tjerëve.

Kika dhe Domi, debat për çmimin e BB

Domenika dhe Kika flasin për Valentinën. Të dy bisedojnë për të dhe Kika i thotë Domenikës se Valentina ka gabuar në disa gjëra gjatë edukimit të saj. Ato kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se nëna e saj e ka lënë të lirë të veprojë, por duke i thënë se çka është e gabuar dhe jo. Kika i thotë se pikërisht për këtë ai mendon se ajo ka gabuar në sjelljen ndaj Domenikës. Domi thotë se do të ishte shumë mirë që midis prindërit dhe fëmijës të kishte një raport të mirë ku të mos kishte sekrete dhe të fshehta mes tyre. Kika i thotë se ai ka vënë re diçka te Domenika dhe Valentina, të cilat i kanë bërë të njëjtën pyetje e cila nuk i ka pëlqyer Kikës. Ato e kanë pyetur nëse kishte “Big Brother” në Kosovë. Kur Kika i kishte thënë se ka filluar një emision i ngjashëm me BB, ato i kanë thënë se përse ai nuk kishte hyrë aty, por kishte zgjedhur të konkurronte në BB në Shqipëri. Domenika i kërkon Kikës t’i shpjegojë se ku qëndron e keqja këtu. Ajo i thotë se kjo pyetje është bërë thjesht nga kurioziteti ndërsa sipas Kikës ka qenë tendencioze. Ai thotë se nuk është e drejtë që ato të dyja të bëjnë dallime midis Prishtinës dhe Tiranës. Sipas Kikës, me këtë pyetje ato kanë nënkuptuar se nuk duhet të kishte marrë pjesë në BB në Shqipëri. Domenika i thotë se ajo është thjesht kureshtare dhe pyetjen e bëri vetëm për faktin se Kika është shprehur se dëshiron që ta çojë çmimin e madh në Prishtinë. Domi i thotë se kjo shprehje nuk i ka pëlqyer, pasi fakti që ai thotë se do që çmimin e BB ta çojë në Prishtinë, për të është një ndarje. Kika thotë se Domi dhe banorët e tjerë e shohin si të gabuar faktin që çmimi të shkojë në Prishtinë. Domi i thotë se ajo pranon që dikush të dojë që të fitojë BB për arsyet e veta personale, jo për Kosovën apo Shqipërinë. Kika i thotë se ai e ka thënë se dëshiron ta çojë çmimin në Prishtinë, por duke u bazuar në aftësitë e tij. Në debatin e tyre ndërhyn Klodi, i cili thotë se loja është individuale dhe nuk ka të bëjë me vendin nga i cili vjen një konkurrent. Kika vazhdon të mbrojë idenë e tij duke thënë se ai dëshiron shumë që ta fitojë çmimin e madh të BB dhe të jetë i pari kosovar që fiton BB në Shqipëri.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›