Rama takon në New York Papandreun
Dje në Neë York kreu socialist Edi Rama zhvilloi një takim me Presidentin e Internacionales Socialiste, kryeministrin grek Jorgo Papandreu. Takimi u zhvillua gjatë punimeve të Këshillit të Internacionale Socialiste që zhvillohet në selinë e OKB-së, ku partia socialiste e Shqipërisë përfaqësohej nga kryetari i saj Edi Rama dhe dy deputetët, Arta Dade dhe Taulant Balla. I dërguari i gazetës "Panorama" në këtë aktivitet Marko Caka raporton se temat kryesore të diskutimit në këtë konferencë dy ditore ishte e ardhmja e të majtës, Ekonomia botërore, ndryshimet klimaterike, paqja ne lindjen e mesme dhe çarmatimi dhe mos shpërndarjen e tyre. Gjatë punimeve nuk kanë munguar dhe takimet e drejtuesve të Internacionales Socialiste me kreun socialist shqiptar, Edi Rama. Temë e parë e bisedës së tyre ishte situata politike dhe kriza në Shqipëri, ku Rama i ka shprehur shqetësimin se qeveria nuk po pranon asnjë lloj kompromisi për hapjen e kutive në të cilën është fshehur, sipas tij, verdikti i popullit dhe se qeveria e Berishës nuk ka vullnet t'i bëjë transparente. Nga ana e tij kreu i Internacionales Papandreu shprehu vullnetin e mirë që do të angazhohet me të gjitha palët që situata e krizës politike të gjejë një zgjidhje nëpërmjet dialogut, pasi vazhdimi i krizës pengon proceset integruese. Gjithashtu sipas burimeve zoti Papandreu i ka shprehur homologut të tij socialist Rama edhe ndihmën e plotë që do të japë Greqia në lidhje me liberalizmin e vizave dhe në zhvillimet e mëtejshme që lidhin të dy vendet. m.c