E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shtoni katet në bregdet,do t’u japim kredi

 

Kryeministri Sali Berisha është rikthyer sërish brenda një kohe të shkurtër në rrugën e Bregut, ku ka inauguruar një rrugë në Potam me vlerë 42 milionë lekë të reja. Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kreu i qeverisë u ka bërë thirrje qytetarëve që ofrojnë shtëpi pushimi të shtojnë katet, duke u premtuar kredi të buta nga qeveria. “Një thirrje miqësore ju bëj të gjithë qytetarëve të Himarës, të Lukovës, të Ksamilit, të Sarandës dhe të bregut në tërësi, që të shfrytëzojnë mundësinë e zgjerimit të shtëpive të tyre, e shtimit të një kati, apo shtimit të një dhome, të përmirësimit të tyre, pasi shteti do të garantojë kredi të buta dhe kjo është një nga mënyrat kryesore për të përballuar fluksin e një rritje më të madhe. Këtë vit Shqipëria ka patur rritjen më të madhe në botë për sa i përket turizmit”, u shpreh kreu i qeverisë. Nën shoqërinë e kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, përfaqësues i lartë i PBDNJ-së, kryeministri Berisha tha se me gjithë krizën ekonomike, shifrat e turizmit këtë vit kanë qenë shumë më të larta se një vit më parë. “Shqipëria këtë vit mesa duket do të zërë vendin e parë në botë, sipas disa agjencive të huaja për rritjen e shpejtë të numrit të turistëve. Viti i krizës më të madhe botërore në Shqipëri u shoqërua nga një rritje prej 36% të turizmit krahasuar me vitin e kaluar. Turizmi është ajo degë e ekonomisë shqiptare, nga e cila përfiton numri më i madh i familjeve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Pasi preu shiritin e rrugës në Potam, e cila të nxjerr në breg të detit, Berisha premtoi se brenda vitit të ardhshëm do të jenë të asfaltuara të gjitha rrugët që të çojnë në breg. Sipas tij, në total nga veriu në jug janë rreth 25 km rrugë që të nxjerrin në det dhe që do të jenë prioritet i qeverisë për vitin e parë të mandatit të dytë. “Ky përbën një premtim të mbajtur nga ne. Zotimi ynë për të asfaltuar të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, realisht po shkon drejt përmbushjes së plotë dhe brenda vitit 2010, nga Ksamili në Velipojë, ne do të asfaltojmë çdo metër rrugë të fshatrave të brigjeve të Jonit dhe të Adriatikut”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›