E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama te njësia nr.10: Jo vota për Saliun dhe Ilirin

Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 8 majit, Edi Rama zgjodhi dje të jetë mes shërbimeve të tregtarëve në njësinë nr.10, apo siç njihet ndryshe, në tregun çam në kryeqytet. “Saliu dhe Iliri nuk kanë votë për të marrë në Tiranë, por kanë llogari për të dhënë për keqqeverisjen, për faturat e papërballueshme, për çmimet e pandalshme. Ndërkohë, që ka një shifër që i tregon që të gjitha. Një familje e zakonshme kryeqytetase paguan 5500 lekë të vjetra në muaj, për gjithë çfarë bëhet për të mirëmbajtur qytetin, për të ndërtuar qytetin”, u shpreh Rama. Sipas tij, gjithë këto pemë që sot janë kthyer në kurora në rrugët e qytetit, gjithë pastrimi i qytetit, ndriçimi, shkollat, rrugët janë kontributet e një familje të përmbledhura në 5500 lekë të vjetra në muaj. “Ndërkohë që çdo familje paguan 50 herë më shumë si detyrime ndaj qeverisë. Dhe vetëm lekët që qeveria i merr një familje të zakonshme tek TVSH-ja e bukës në muaj janë më shumë sesa kontributi për gjithë punët e qytetit. Këto mjaftojnë për të shpjeguar se kush jua ka futur dorën në xhep shqiptarëve dhe kush i varfëron dhe ul fuqinë e tyre blerëse përballë një tregu të kapur nga monopolet, njëkohësisht, një kusari që thith përditë palcën e ekonomisë shqiptare”, theksoi Rama. Të tjerat pastaj, vijoi ai, janë propagandë boshe që nga një vesh iu hyn, nga një vesh iu del qytetarëve të Tiranës që e kanë gjetur rrugën e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›