E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama të vetëve: 10 ditë leje, pastaj në bazë

Gazeta Shqiptare zbulon se me urdhër të prerë të kryetarit do te merren vetëm 10 ditë pushime dhe asnjë ditë më tepër. Urdhri i Ramës për t'i mbledhur të gjithë lidhet me organizimin e punës për Kongresin e 29 gushtit 

TIRANE-Rama u ka dhënë leje të gjithë sekretarëve dhe deputetëve të partisë. Gazeta Shqiptare zbulon se me urdhër të prerë të kryetarit, sidomos sekretarët do të marrin vetëm 10 ditë pushime dhe asnjë ditë më tepër. Në data 11-12 gusht, të gjithë të zgjedhurit e PS-së do të duhet të jenë në Tiranë dhe në krye të detyrës. Edhe vetë Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përveçse ka menduar të takojë familjarët e tij, ka zhvilluar edhe takime me kongresmenë, për t'i informuar në lidhje me problemet dhe shqetësimet e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit. Urdhri i Ramës për t'i mbledhur të gjithë në fillimjavën që vjen, lidhet edhe me organizimin e punës për Kongresin e 29 gushtit, të vendosur nga Asambleja Kombëtare. Pas datës 11 gusht, Rama pritet të nisë punën për rikonfirmimin në krye të PS-së. Ashtu siç edhe tashmë është e qartë, Edi Rama do të zbatojë statutin e partisë, që do të thotë se ai e konsideron veten një kryetar me mandat të ndërprerë. Do të jetë Kongresi i Jashtëzakonshëm i 29 gushtit, i cili përveçse do të miratojë rezolutën e Asamblesë Kombëtare për mosnjohjen e këtyre zgjedhjeve, do të administrojë edhe kandidaturat për kryetarin e ri të PS-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›