E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama tek ‘Don Bosko’: Votoni për atë që ju bën punën, larg ndarjes jug-veri

TIRANË- ‘Këndi i fjalës’ i Partisë Socialiste është ndalur sot në njësinë nr. 9 në kryeqytet, ku kryetari i selisë rozë, Rama ka bashkëbiseduar me banorët e ‘Don Boskos’ për programin e shqetësimet e tyre.

Rama premtoi para këtyre banorëve se nuk do t’i zhgënjejë nëse ata votojnë për Partisë Socialiste. Berisha sipas tij është komunisti i llojit më të keq. “Vaslav Havel thoshte që komunisti më i keq është komunisti antikomunist, të gjen belaja që gjeti njerëzit e ndershëm si ju, nga këta lloj komunistësh, ashtu është edhe Saliu”.

Teksa komentonte deklaratat e kryeministrit, Rama sqaroi qytetarët se është e kotë që ai shprehet se ka futur vendin në NATO. “Në NATO na futi SHBA, me kontributin e të gjithëve ne, po të ishte për Saliun do na fuste që në ‘90 por s’bëri gjë tjetër veçse e përvëloi Shqipërinë me piramidat”, tha Rama.

Duke kërkuar votën e këtyre banorëve ai i ftoi të bëjnë më të mirën për veten pa parë ndarjen e origjinës, jug apo veri. “Shqipëria është shumë e vogël për ta ndarë në veri e jug, po ti hyjmë origjinës të gjithë dalim pak nga jugu e pak nga veriu. Problemi është kush të bën punën, lëreni ndarjen veri-jug”, u shpreh Rama.

“Ne do ti hymë detit më këmbë e do t’ia dalim përpara me procesin e legalizimeve”, tha ndër të tjera Rama.

Kryesocialisti nënvizoi ndër të tjera se pas 23 qershorit do ketë më shumë investime për Tiranën, për të përfunduar rrugën e nisur nga vetë ai 11 vite më parë.
“Jam krenar për atë që kam bërë për Tiranën, sikur të kishim pasur një qeveri kombëtare që pas 2003 do ishte mirë, por qeveria që kemi nuk na ka lënë rehat, jo më të na mbështeste. Me votën ndaj PS në Tiranë do ketë transformime më të mëdha se ato që kam bërë unë në 11 vjet, e njoh në cdo pëllëmbë, ia di problemet me sy mbyllur e di çfarë duhet bërë për Tiranën, që të përfundojë me sukses të plotë transformimi i madh që ne nisëm. Vota e 23 qershorit do ta tregojë këtë”, tha Rama.

Para këtyre banorëve Rama premtoi heqjen e taksës së biznesit të vogël brenda 100 ditëve të para të qeverisë. “400 mijë njerëz përfitojnë nga heqja e taksës së biznesit të vogël. Do ndodhi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Ne nuk do ndalemi vetëm tek ajo, do përgjysmojmë edhe tatim fitimin”, tha ai.

Kryesocialisti premtoi më tej reformimin e kuadrit ligjor për sa i përket shërbimit të taksive. “Unë e di kaosin me taksitë, nuk ka filluar tani, ka kohë që ka filluar ne kemi bërë punë për të ndaluar taksitë ilegale, të cilat godasin taksitë me licencë, këtu është bërë tani si xhungël, kush t’ia dali t’ia dali. Unë ju premtoj se do reformojmë gjithë kuadrin ligjor dhe do zbatojmë ligjin duke mos lejuar më ilegalët”, tha ai.

Duke u ndalur tek programi për arsimin, Rama tha se në universitete do shkojnë ata që e meritojnë, ndërsa do i jepet përparësi nxitjes së arsimit profesional. “Në Shqipëri janë bërë të gjithë me shkollë të lartë, punë e madhe se po zhduken zanatet, s’kemi hidraulik, marangoz e teknik nafte, jemi të gjithë me master në juridik e të gjithë të papunë që presin të bëhen kamerierë. Po shkojnë 100 universitete private, problemi është çfarë ndodh në fund, rritet ushtria e të papunëve, në botën normale në universitet shkojnë ata që e meritojnë, ose zanat në shkollë profesionale. Ne do reformojmë arsimin, për ti dhënë shumë më tepër fuqi arsimit profesional. Edhe investimet janë të lidhura me kualifikimin e krahut të punës, do ngremë kurse profesionale për ata që kanë mbaruar shkollën dhe janë të papunë, do ndryshojmë mënyrën se si bëhen rekrutimet në universitet”, tha ai më tej.

Rama tha më tej se, “Nuk do lejojmë që në farmacitë shqiptare të blihen ilaçet më shtrenjtë se në vendet e origjinës, këtu bëhet një spekulim i madh”, tha ai.

THEMELUESI I PD GRIS TESERËN NË TAKIMIN ME RANËN
Një themelues i Partisë Demokratike ka grisur tesetën e PD-së që mbante në dorë pas përfundimit të fjalës në takim me kryesocilistin Rama tek zona e ‘Don Boskos’

Duke u shprehur se është zhgënjyer nga PD e Berisha, ky person u shpreh se “donte që të krijohej shtet në Shqipëri” dhe se besonte tek Sadri Abazi e Edi Rama.

“Kam 23 vite me PD do ta djeg teserën, ju lutem më falni për shqetësimin por jam një nga themeluesit e PD”, iu drejtua ai Ramës, ndërsa grisi teserën.

Kryesocialisti pas këtij akti u shpreh se, “Kjo ishte zgjidhja jote ti e grise, edhe unë demokrat i ‘90 jam, po ika për 20 minuta sa takova atë njeri”, tha Rama.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tiranë, Rama: Kamarierët janë të gjithë me master. Ne garantojmë, Universitet ose zanat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›