E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama, tentativë për të asgjësuar KQZ-në”

20-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, i cilëson votat e kontestuara, si një detyrim absolut për t’u rivlerësuar

Kryeministri Sali Berisha reagoi ashpër dje përmes një konference për shtyp, duke paralajmëruar tendencat e dhunshme të opozitës, se çdo cenim i institucioneve të këtij shteti, do marrë përgjigjen e merituar ligjore.
Qëndrimi i kryeministrit erdhi pas dhunës së ushtruar nga militantë dhe deputetë të Partisë Socialiste në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe në disa akse kryesore rrugore të vendit.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se askush s’do ia dalë të cenojë sistemin demokratik dhe se ultimatumet e Edi Ramës, të shoqëruara me ftesën për bashkëpunim dhe kërcënimet se do të nisë revoltën nëse vihet në diskutim ky rezultat, është një ftesë për kompromis e tij: “Më jep Tiranën, të ndalem”.
“Ata 800 mijë shqiptarë që votuan koalicionin tim nuk do të pranon dorëzim në tavolinë të pushtetit. Institucioni i KQZ-së që ata duan të sulmojnë, po funksionon dhe po merr vendime vetëm në bazë të ligjit. U bënë përpjekje për të asgjësuar institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve për Tiranën, komisionit zonal të Tiranës, rolin e së cilës e ka marrë përsipër KQZ në bazë të ligjit”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se anëtarët e KQZ-së po numërojnë votat e pa-numëruara të qytetarëve të Tiranës, që për shkak të mos vëmendjes dhe mos përgjegjësisë së organizatorëve në qendrën e votimit, nuk u orientuan si duhet.
“Ju jeni dëshmitarë të sulmeve primitive agresive të deputetëve socialistë ndaj njerëzve me uniformë të këtij shteti, se si kacavirreshin ata sipër kokave të atyre që po mbrojnë KQZ prej tre ditësh me radhë. Kryetari i PS-së dhe lejtnantët e tij me një fjalor ndër më të papranueshmit, me një agresion verbal të paparë dhe me akte brutale të organizuara me kërcënime të gjithanshme, kërkojnë të ndalojnë zemrekun e sistemit elektoral”, tha Berisha.  Berisha tha se “janë këta njerëz që urdhërojnë djegien e gomave rrugëve dhe kërcënojnë kryetarin e KQZ dhe anëtarët e këtij komisioni”.
“Ata bëjnë plane për të sulmuar godinën e KQZ dhe për të djegur materialet e votimit”, tha Berisha duke siguruar se ata do të përballen vetëm me ligjin.
Kryeministri garantoi se do të respektohet e drejta e opozitës për protestë, por sipas tij dhuna e cilësdo natyre qoftë, do të përballet me të gjithë rreptësinë e ligjit. Ai paralajmëroi Edi Ramën dhe gjithë ata që nxisin sulmin ndaj KQZ-së se, “institucionet e këtij vendi do të mbrohen me forcën e ligjit dhe askush nuk do të mund të shkelë fletët e votimit”.
Berisha tha se për shkak të situatës në vend, Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso vendosi të shtyjë vizitën e tij të rendësishme në Shqipëri.
Sipas Berishës “kjo situatë e dëmton statusin e vendit kandidat, pasi kur ka njerëz që përpiqen të bllokojnë KQZ-në, kur deputetë pushtojnë sallën dhe agresojnë zyrtarët më të lartë të këtij komisioni, kur njerëz me imunitet kacavirren si primitivë mbi supet dhe kokat e policëve dhe bëjnë thirrje për gjak dhe revoltë, natyrisht këto janë jashtë standardeve europiane”. “Ne do ecim me këmbëngulje drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe do të kemi statusin e vendit kandidat në BE atëherë kur ta meritojmë”, tha Berisha.

Votat e kontestuara
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “janë së paku 300 vota të kontestuara, të cilat sipas ligjit aktual zgjedhor, janë obligim absolut ligjor për t’u rivlerësuar”.
Kryeministri Berisha u shpreh se rezultati i garës për zgjedhjen e kreut të Bashkisë së Tiranës është shumë i ngushtë dhe këto vota mund ta ndryshojnë disa herë rezultatin e numërimit.
Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje se “asnjëri prej kandidatëve nuk mund të thotë se fitoi, kur janë ende edhe 300 vota për t’u rivlerësuar”.
Duke qartësuar se aktualisht KQZ po funksionon si Komision Zonal i Tiranës, Berisha kujtoi se “këtë atribut, ligji elektoral i miratuar nga të dyja forcat politike ia dha KQZ-së dhe ky komision po përmbush detyrimin e tij ligjor si komision zonal”.
Berisha vlerësoi se “në 8 maj, Shqipëria zhvilloi një proces zgjedhor ndër më dinjitozët në tërë historinë e tij, në prani të mijëra vëzhguesve vendas e të huaj” dhe theksoi se “këto vota u vlerësuan dhe u numëruan para të gjithë shqiptarëve, madje pati kuti që mediat i numëruan live. Në rast se procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as edhe konfliktualitetin më të vogël, në Tiranë ndodh e kundërta. Në datë 14 maj, të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave dhe dhanë një rezultat i cili në momentin më të fundit nxori kandidatin e PS me 10 vota para”, tha Berisha.
Ai theksoi se “ligji shqiptar nuk ka autorizuar KQZ-në të shpallë rezultat paraprak”. Kryeministri vuri në dukje se “shqyrtimi i fletëve të kontestuara është përmbushje e ligjit të hartuar nga PD dhe PS”.
Sipas tij “çdo votë që shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë, duhet të numërohet”. Kryeministri tha se “ky komision ka tagrin për të nxjerrë tabelën përfundimtare të zgjedhjeve dhe ka tagrin të përfshijë aty çdo votë para se të bëjë shqyrtimin si KQZ”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›