E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përballesh ende me komunizmin

20-05-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ditën kur u arrestua me akuzën për evazion fiskal, Ai Weiwei, po  hipte në një anije për në Hong Kong. Kanë kaluar 43 ditë prej arrestimit, dhe nuk ka asnjë lajm mbi artistin dhe arkitektin kinez.  Në të njëjtën orë, dhe në të njëjtin aeroport, përfaqësuesit e institucioneve politike dhe kulturore gjermane po ktheheshin në shtëpi pasi kishin inauguruar ekspozitën mbi iluminizmin në Muzeun Kombëtar në Kinë.  “Krimi ekonomik” vazhdon të jetë motivi zyrtar i Qeverisë. “E dimë që Ai Weiwei është në burg për aktivitetin e tij politik” - tregon shkrimtari Yu Hua, autor i best-seller-ve ndërkombëtar. “Shpeshherë artistët shesin në mënyrë vetjake veprat e tyre dhe rrezikojnë të kenë probleme fiskale. Ndoshta qeveria ka përdorur këtë pretekst për ti arrestuar”. Masat shtrënguese të Pekinit kundër lirisë së shprehjes nuk e frikësojnë shkrimtarin Yu. “Vazhdoj të shkruaj atë që dua dhe të kritikoj disa pozicione të Qeverisë. Kina ndodhet në një fazë shtrembërimesh dhe një shkrimtar ka për detyrë të tregojë edhe duke kritikuar”. Edhe shkrimtari Yu mund të përfundojë në listën e zezë të intelektualëve të persekutuar nga qeveria. Mund të kujtojmë Liu Xiaobo;  fitues të çmimit Nobel për paqen, i burgosur që prej vitit 2010 për “veprimtari armiqësore”; Ye Du, përfaqësuesin e  shoqatës Pen International, të arrestuar për të njëjtin motiv në shkurt; shkrimtarin Liao Yuwu, të cilit i është refuzuar viza për të marrë pjesë në festivalin e letërsisë jashtë shtetit; aktivistin Liu Xianbin të dënuar me dhjetë vjet burg për artikuj kritik kundër Partisë. “Jeta e artistëve është më e brishtë sesa vetë veprat e tyre”, ka shkruar në të përditshmen britanike “The Guardian” shkrimtari Salman Rushdie duke kërkuar lëshimin e menjëhershëm të Ai Weiwei-t.  Ajo që të impresionon më tepër duke studiuar jetën e disidentëve është vetëdija që ata kanë për opinionin publik perëndimor dhe atë kinez që shikon në protestat intelektuale të Europës një provë të gabimeve të Weiwei-it. Xinran autore e librit “Vajzat e humbura të Kinës” do të shtonte: debati mbi lirinë e të shprehurit në Kinë ka filluar prej shekujsh, fillon kur peradori Qin Shi Huang në vitin 200 para Krishtit urdhëroi të varroseshin të gjallë rreth 600 studiues për të kaluar pastaj tek 2 milionë kinezët e zhdukur përgjatë revolucionit kulturor, për të përfunduar tek rastiiI Ai Weiwei-it. Gjithsesi shkrimtarja është plot shpresa kur thotë se “Shtetet  më të zhvilluara të perëndimit kanë punuar prej shekujsh për të mbërritur tek demokracia dhe është e pamundur të pretendosh se Kina mund të arrijë në 30 vjet standartet ndërkombëtare”. Ndoshta standartet ndërkombëtare jo. Por. Por dhjetë ditë më parë, në Tibet, në Tashi Lhumpo, qytet manastir i Panchen Lama, qyteti i dytë budist tibetian pas atij të Dalai Lama, një gazetar perëndimor do të shihte një skenë paradoksale; një murg i cili u tregonte turistëvë portretin e Maos. Pikërisht portretin e Maos të atij që 60 vjet më parë (11 mars 1951), do të pushtonte të atëhershmin Shtet të Pavarur të Tibetit duke shfarosur dhe aneksuar me një operacion ushtarak që guxoi ta quante Çlirimi Paqësor i Tibetit dhe që do ta bënte “këtë popull protagonistin real të rajonit” duke i garantuar progresin ekonomik dhe atë civil. Është me të vërtetë mëkat që ky proces jo aq civil i ka kushtuar jo vetëm mërgimin, që prej vitit 1959, Dalai Lamës dhe që sot ndërsa ecën në rrugët e Lhasës dhe kur shikon në çdo cep ushtarët kinez në të gjithë territorin. Dhe gjithë kjo ndërsa tibetianët paqësorë të veshur me mënyrën e tyre tradicionale nuk duken se kanë ndjenja revolte. Portreti i Maos përveçse në kartmonedha duket i madh edhe në muret e Qytetit të Ndaluar në Pekin, në sheshin Tienanmen. Pak hapa më larg duket Muzeu Kombëtar i Kinës, muzeu më i madh i botës me 195 mijë metra katror ekspozim, ku vihet re një ekspozitë e titulluar “Arti i Iluminizmit” e realizuar në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe me muzetë e disa qyteteve gjermane. Dhe këtu paradoksi është akoma dhe më i madh. Është një ekspozitë e bërë me kujdes ku gërshetohet propozimi artistik me një mesazh të qartë civil dhe me një vullnet të deklaruar të përhapjes së idealeve dhe të vlerave të Iluminizmit europian. Autori i librave best-seller Qu Xialong thotë se “kush deklarohet sot si shkrimtarë me dokumentet për të hyrë në Kinë rrezikon të pësojë pothuajse një hetim të plotë. Një miku im u deklarua si mjek dhe si shkrimtar duke e bindur policin kinez se ai shkruante vetëm gjëra që kishin lidhje me mjekësinë”. Kanti thoshte “Duhet të kesh kurajon që të shërbehesh nga inteligjenca jote” dhe kjo ishte dhe motoja e iluminizmit. Por vazhdon shkrimtari - të dashur Kant, Konfuço dhe Buda si ndjeheni nën hijen e ikonës së Maos?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›