E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vija frontale e demokracisë në Afrikën Veriore

20-05-2011 / Nga Radoslaw Sikorski

Popujt në tranzicion nga sundimi autoritar ndodhen para vendimeve që përcaktojnë fatin e tyre për dekada me radhë. Ish-bota komuniste mori këto vendime rreth 20 vjet më parë dhe sot ata kanë shumëçka për t’u ofruar demokratëve të ardhshëm në Afrikën Veriore

Javën e kaluar isha në Benghazi për të takuar përfaqësuesit e Këshillit transitor libian (TNC), një vizitë kjo e koordinuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe aleatët e NATO-s. Isha ministri i parë i Jashtëm perëndimor që vizitova Libinë qëkur filloi kriza. Ajo që pashë ma kujtoi shtetin tim 20 vjet më parë, menjëherë pas zgjedhjeve të para të lira në Poloni, të cilat, së bashku me rënien e Murit të Berlinit rreth gjashtë muaj më vonë, u bënë simbol i përfundimit të luftës së ftohtë.
Popujt në transicion nga sundimi autoritar – i qetë në Poloni më 1989, i përgjakshëm në Libi sot – ndodhen para vendimeve që përcaktojnë fatin e tyre për dekada me radhë. Si duhet të trajtohen keqbërësit e regjimit të mëparshëm? A duhet të ndalohet ish-partia qeverisëse? Si mund të sigurohet kontrolli civil dhe demokratik i ushtrisë si dhe policisë? Çfarë roli duhet të luajë feja në çështjet publike? A duhet që me kushtetutë të përcaktohet një sistem presidencial apo parlamentar?
Ish-bota komuniste mori këto vendime rreth 20 vjet më parë. Mirëpo, vendime të ndryshme – për të mirë dhe për të keq – u morën në Poloni, Hungari e Çekosllovaki, në shtetet e Baltikut, në ish-Bashkimin Sovjetik, në Azinë Qendrore dhe në Gjermaninë Lindore.
Reformatorët e sotëm arabë kësisoj mund të përsërisin sukseset tona dhe t’i shmangin gabimet që kemi bërë. Ne evropiano-qendrorët e dinim mizorinë e komunizmit. Po ashtu, ne e dinim se çka duam në vend të tij – një sistem të bazuar në vlera moderne demokratike evropiane. Për ndërtimin e strukturave demokratike nevojitet kohë, disiplinë dhe durim. Mirëpo, mundi të shpaguhet. Në korrik, Polonia do ta marrë Presidencën e BE-së për herë të parë. Ne e kemi merituar këtë përgjegjësi për të drejtuar çështjet evropiane gjatë gjashtë muajve në vijim.
Polonia e ka mësuar vetë se kërkimi i ndryshimeve dhe luftimi i shtypjes janë më pak të vështira sesa formulimi dhe zbatimi i një programi të qartë e të arsyeshëm. Jo të gjitha kërkesat popullore për liri kanë sukses: rënia e Shahut në Iran pati pasoja shkatërrimtare për atë shtet. Bjellorusia e fitoi pavarësinë më 1991, mirëpo që nga viti 1994 presidenti Alexander Lukashenko ka përdorur metodat komuniste për të mbetur në pushtet. Evropa ka punë të papërfunduara atje.
Sot, në pothuajse tërë Afrikën Veriore, miliona njerëz janë duke kërkuar që t’u dëgjohet zëri. Secili shtet po kërkon ndryshime dhe progres. Në Marok, mbreti ka paralajmëruar reforma kushtetuese, përfshirë garanci për rolin e qytetarëve në vendimmarrje, një gjyqësor të pavarur dhe autoritete të reja rajonale. Kjo reformë e matur mund të bëhet model për të tjerët.
Po ashtu reformatorët në botën arabe gëzojnë mbështetje të madhe nga Katari, që ka dalë të jetë shembull i udhëheqjes së fortë, posaçërisht në Libi, mirëpo edhe përmes kanalit të lajmeve Al Jazeera, një forcë e vërtetë për ndryshime në rajon.
Libia po përjeton një betejë të përgjakshme midis njerëzve që insistojnë në ndryshime dhe një regjimi lakmitar, i vendosur të mbetet në pushtet edhe pas 40 vjetësh keqqeverisjeje. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me mbështetjen e Ligës Arabe, e ka autorizuar shfrytëzimin e të gjitha mjeteve të domosdoshme për mbrojtjen e libianëve nga brutaliteti i liderëve të tyre. Aleatët tanë të NATO-s kanë ndërmarrë operacione ushtarake me qëllim që regjimi i Gaddafit të privohet nga mjetet për sulme mbi caqet civile. Qeveritë nga mbarë bota kanë ngrirë pasuritë e grumbulluara jashtë nga regjimi – para këto që duhet të shfrytëzohen për ta ndihmuar opozitën të ndërtojë një shoqëri të re.
Isha në Benghazi për të vlerësuar synimet dhe kredibilitetin e Këshillit transitor libian dhe opozitës libiane. Ne dërguam pajisje mjekësore për Qendrën Mjekësore të Benghazit, ku trajtoheshin të plagosurit nga Misrata dhe gjetkë.
Rreth tavolinës patëm aleatë të ndryshëm: disa kishin qenë zyrtarë të njohur në regjimin e Gaddafit; të tjerët kishin kaluar vite të tëra në burg, të dënuar me vdekje. Ata i bashkonte mendimi se shteti i tyre meritonte një fillim të ri. Mua m’u kujtua “tavolina e rrumbullakët” e Polonisë, më 1989, kur “Solidariteti” u ul me komunistët, për të negociuar përfundimin e regjimit.
Pata bisedë pa dorëza me kryetarin e TNC-së, Mustafa Abdul Jalilin, me zv.kryetarin Abdul Hafez Ghoga dhe me ministrin e Mbrojtjes, Jalal Dheili, një ish-i burgosur politik. Ata ishin mirënjohës për përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare, mirëpo i preokuponte numri i madh i vdekjeve të shkaktuara nga Gaddafi.
U thashë se ne e konsideronim TNC-në ndërmjetësuese tonën legjitime politike në Libi dhe ishim të gatshëm për t’i mbështetur. Në shkëmbim, ne prisnim që këshilli të punonte për vendosjen e standardeve më të mira të një qeverie transparente demokratike. Ata e kuptuan se u duhej një plan – momentet revolucionare janë një moment që duhet shfrytëzuar. Polonia do të ndihmonte duke ofruar trajnim për zyrtarët e Këshillit.
Pas kësaj vizite, porosia ime për liderët evropianë përfshin dy aspekte. Së pari, Këshilli transitor libian është gjëja e vetme të cilën mund ta investojmë në të ardhmen e Libisë. Liderët e saj po mundohen që të zbatojnë reforma, të cilat ishin të paparamenduara rreth disa muaj më parë. Atyre u nevojitet përkrahja energjike e botës.
Së dyti, ndonëse Evropa mund t’u ofrojë fqinjëve të vet afrikano-veriorë mbështetje financiare, këshilla dhe trajnime, ku rajon duhet ta gjejë vetë rrugën drejt lirisë dhe suksesit. T’i qasemi kësaj detyre në frymën e solidaritetit evropian, mirëpo edhe me modesti. Ish-shtetet komuniste mund të japin një kontribut të veçantë për procesin e transicionit në Afrikën Veriore. Mbi të gjitha, ne e kuptojmë se reformat e qëndrueshme nënkuptojnë marrjen e përgjegjësisë, duke mobilizuar energjinë e popullit, e jo duke u mbështetur në ndihmat nga jashtë.
Polonia është e gatshme që të prijë, si e vetme dhe si presidente e BE-së. Për shembull, ish-presidenti Lech Wałesa kohë më parë e vizitoi Tunizinë për të dhënë këshilla në kuadër të një programi polak për ndihmë këtij shteti në reforma kushtetuese dhe ligje zgjedhore.
Popujt e Afrikës Veriore e dinë se çfarë nuk duan dhe çfarë nuk do të pranojnë. Mirëpo, ata e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë duan dhe si ta ndërtojnë. Siç e pashë në Benghazi, ka mundësi të mëdha që liderët e rinj të Libisë të jenë partnerë të mirë realistë për politika të mira realiste.

Autori është ministër i Jashtëm i Polonisë. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›