“Rama, terrenet sportive i shndërroi në pallate”
Reagon Aldo Bumçi, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, deklaroi të mërkurën se trashëgimia e z. Rama për sportin ishte masivizimi i pallateve dhe betonit dhe jo i Sportit. Deklarata e z. Bumçi u bë në kuadër të një aktiviteti me temë "Rinia dhe Sporti", i zhvilluar dje, ku u bë një paraqitje e asaj që parashikon program i Partisë Socialiste për Sportin dhe përhapjen e masivizimin e tij në radhët e rinisë shqiptare. "Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës për 11 vite ka pasur mundësi të shumta për të zhvilluar sportin për të gjithë. Fatkeqësisht ajo që na la trashëgimi në Tiranë z. Rama është masivizimi i pallateve dhe betonit dhe jo masivizimi i sportit", deklaroi Bumçi. Ai akuzoi ish- kreun e bashkisë se krijoi "një ambient mbytës për sportin" në Tiranë. Sipas tij, zhvillimi urban i Tiranës gjatë 11 viteve të z. Rama krijoi një ambient mbytës për sportin. Mbas 11 vitesh qeverisje qytetarët e Tiranës kanë vetëm 0.8 m katror gjelbërim për frymë. Fëmijët dhe të rinjtë e këtij qyteti e kanë të vështirë të gjejnë hapësirat më minimale ku mund të luajnë", thuhet më tej në deklaratën e z. Bumçi. Z. Rama, vijon më tej në deklaratë ministri, thotë se do të kthejë shkollat në qendrat kryesore për zhvillimin e sportit për të gjithë. Por thekson ai, me fondet e qeverisë pas shumë zvarritjesh, sepse pallatet dhe jo shkollat ishin në mendjen e tij, ndërtoi shtatë shkolla të reja, pesë prej të cilave nuk kanë terrene të hapura sportive.