E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama thirrje diasporës: Votoni numrin 5 që çdo shqiptar të ketë pasaportën e BE-së

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takimin përmbyllës elektoral në Pogradec.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua të gjithë atyre që janë në emigracion, sidomos në Greqi, ku shtoi ai, “ka pasur probleme në ditët e para me shpërndarjen e zarfeve nga DHL-ja që tani është momenti që ndërkohë që zarfet pothuajse janë shpërndarë në masën 90% në këtë orë, ata t’i hapin, t’i mbushin, të vënë shenjën tek 5-a dhe t’i nisin, sepse për ta 11 maji është shumë konkret. Është shumë shumë konkret.

Ata akoma sot, një pjesë e madhe e tyre, jo të gjithë, nuk kanë akoma pasaportën, nuk kanë akoma sigurinë e qëndrimit, duhet të rrinë nëpër radha, leja e qëndrimit, do ripërtërijë lejen e qëndrimit. Ata akoma sot atje, pas kaq shumë vitesh sakrifica duhet të kenë përsëri problemin që fëmijët e tyre kur i çojnë në shkolla janë të huaj”.

Gjithashtu, shtoi Rama, “sot ka ardhur për ta dhe një moment shumë i trazuar. Sepse ishin të rinj, prindër të rinj kur morën malet vetëm me rrobat e trupit dhe me fëmijët në krahë dhe u nisën drejt të panjohurës absolute, duke pranuar sakrifica që vetëm ata mund t’i dinë deri në fund, por që ne që i marrim me mend e kemi shumë të qartë që janë sakrifica të jashtëzakonshme. E lanë Greqinë me lot dhe me djersë për të rritur fëmijët dhe për të bërë të mundur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Kontribuan për atë shtet dhe i dhanë ekonomisë greke atë që ekonomia greke nuk kishte se ku ta gjente, nëse shqiptarët nuk do ishin një gjak i ri në atë organizëm. Ishin shqiptarët që garantuan, e thonë dhe grekët t’i ndërtonin në kohë të gjitha infrastrukturat e Lojërave Olimpike dhe sot ata janë në pension, ose në prag të pensionit shumica dhe do të jenë gjithmonë e më shumë në prag të pensionit, sepse ajo gjeneratë tanimë po shkon drejt moshës së tretë dhe jetojnë përditë me ankthin: a do ketë për ta njohje të gjithë kësaj lodhjeje në formën e një pensioni dinjitoz, apo gjithë puna e bërë dhe gjithë kontributet e paguara atje do t’i marrë deti?”.

Rama nënvizoi se, “për të njohur pensionet e emigrantëve duhen marrëveshje me qeveritë. Ne kemi bërë 22 marrëveshje në këto 3 mandatet tona dhe arritëm ta mbyllim më në fund dhe marrëveshjen e parafundit për nga vështirësia, atë me Italinë, ku në janar vitit të ardhshëm për të gjithë ata shqiptarë që kanë emigruar, punuar, kontribuar në Itali dhe që janë në moshën e pensionit do të fillojnë pensionet e njohura sipas viteve të punës që kanë kryer atje”.

Ndërsa, shtoi Rama, “marrëveshja e fundit por më e vështira është ajo me Greqinë. Pse? Të dyja ishin më të vështirat për nga masa e njerëzve, se janë masa të mëdha, që do të thotë dhe barra financiare nuk është e vogël, por nga ana tjetër Italia sidoqoftë nuk është Greqia. Greqia nuk është aq e fortë sa Italia. Dhe ne i kemi filluar negociatat me qeverinë greke. Ata janë shumë pozitivë, por unë nuk di ta them sa mund të zgjasin ato negociata. Nuk di ta them sa vite mund të duhen për atë marrëveshje”.

Ndërkohë, theksoi Rama, “për shqiptarët atje është shfaqur një mundësi e re 11 maji. Pse? Sepse nëse ne mbyllim negociatat dhe hyjmë në Bashkimin Evropian të gjithë shqiptarët kudo ku janë do të marrin këtë pasaportë dhe kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi si pasaporta që ne kemi sot. Kjo pasaportë nuk është pasaporta e qytetarit shqiptar që lëviz pa vizë, kjo pasaportë është pasaporta e qytetarit evropian që banon në BE, punon në BE, del në pension në BE, kurohet kur ka nevojë për kujdes shëndetësor në BE, studion në BE. Dhe të gjitha këto i bën njësoj si të tjerët”.

“Me këtë pasaportë nuk ka më nevojë për pasaportë greke, italiane, spanjolle, franceze, nuk ka. Me këtë pasaportë ti mund të jetosh në të gjitha këto vende dhe ke absolutisht të njëjta të drejta si të gjithë ata që kanë lindur dhe janë jo vetëm nënshtetësinë, por edhe me kombësinë e atyre vendeve. Me këtë pasaportë studentët shqiptarë nuk janë më të huaj në qytetet e Evropë dhe nuk paguajnë më 10 herë më shumë sesa ata, por janë pjesë e të njëjtit komunitet”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›