E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Ne jemi të parët në histori që dorëzuam shpatën dhe e lamë të lirë drejtësinë

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Korçë.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “për herë të parë në historinë tonë ne kemi një moment kur shqiptarët po jetojnë një përpjekje të barazisë para ligjit”.

“S’ka qenë kurrë barazia para ligjit një realitet për shqiptarët, që kur shqiptarët bënë shtetin, ligji ishte bashkë me Maliqin dhe Maliqi ishte i pari i qeverisë. Republikë, mbretëri, diktaturë, tranzicion demokratik, të gjithë, shpatën e ndëshkimit të drejtësisë e mbanin te zyra, vendoste i pari i qeverisë”, tha Rama.

Ne, theksoi Rama, “jemi të parët në histori që dorëzuam shpatën dhe e lamë të lirë drejtësinë, sepse pa një drejtësi që është e lirë të godasë majtas dhe djathtas dhe pa një forcë udhëheqëse që është e gatshme të marrë të gjitha kostot – sepse nuk jemi këtu për pushtetin sot, jemi këtu për shtetin evropian të fëmijëve tanë nesër – nuk bëhesh kurrë, kurrë, kurrë i denjë për të hyrë tek ajo shtëpia e madhe dhe e pasur atje”.

Dhe vijnë këta, bashkë me ca të tjerë që shtrihen çdo natë nëpër ato “berberhanet” e debateve politike edhe bëjnë të habiturin. Si mund të votohet PS? Këta kanë gjysmën e qeverisë në burg; Këta kanë gjysmën tjetër në hetime; Këta janë të zhytur këtu, janë të zhytur atje”, tha Rama.

E para, shtoi Rama, “këta s’dinë aritmetikë, se ne kemi pasur 60 e kusur ministra, edhe nuk janë sa gishtat e njërës dorë ata që kanë pasur probleme me drejtësinë. Por edhe sikur të ishin gjysma. Kush e solli këtë realitet të ri? Stamo Dumua apo Noc Rroku? E solli PS, e sollëm ne, me vendosmërinë më të madhe”.

“Dhe këta bëjnë interesantin edhe thonë: “Edi Rama del nëpër Shqipëri, një herë timoni, një herë tepsia, një herë këneta, një herë bufi”. Por, sot ju them juve: ju kujtohet kur ju thosha në 2017-n ma jepni timonin, mos më lini të tjerë në prehër se ndryshe nuk e bëjmë dot drejtësinë që godet majtas dhe djathtas dhe që sheh vetëm drejt? Ju më besuat dhe ja ku është sot Shqipëria që po përpiqet të bëjë barazi para ligjit. Këta kujtojnë se do ulim kokën ne se mes nesh dalin dhe drurë të shtrembër. Këta s’janë në vete. Ne jemi shumë krenarë që ne e krijuam këtë realitet të ri, që ne e bëmë realitet ndarjen e pushteteve dhe ne i dhamë sens shtetbërjës demokratike ku qeveria ka punën e vet, parlamenti ka të vetin dhe drejtësia ka të vetën”.

“Tani, doni ju që kjo punë të vazhdojë apo doni që të kthehet mbrapsht? Doni ju që fëmijët tanë nesër të jetojnë në një vend ku nuk vihet më në diskutim kjo? Atëherë kjo gjë nuk i duhet lënë asnjë udhëheqësi shqiptar këtu, kjo gjë realizohet dhe bëhet e pakthyeshme duke futur Shqipërinë në BE dhe duke sjellë BE-në këtu. Vetëm atëherë nuk del dot asnjë karafil këtu, asnjë buf kënete dhe asnjë shitës qilimash që të thotë ta kthejmë edhe një herë nga e para. Vetëm atëherë kjo nuk ndodh. Dhe vetëm atëherë të gjithë fëmijët e shqipes do të jenë të gjithë të barabartë dhe nuk do të ketë më i kujt je, sa para’ ke, me kë ke lidhje, por do të jetë thjesht: ke të drejtë apo s’ke të drejtë. Kjo është Evropa në Shqipëri dhe kjo është Shqipëria në Evropë.

Dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë së bashku dhe zgjedhja është shumë e qartë, për gjithë këtë shpresë të madhe apo për një politikan të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë dhe tani edhe zyrtarisht të rrjedhur? Është zyrtarisht i rrjedhur, nuk diskutohet”, tha Rama.

“Përse do shkojmë në 11 maj, do shkojmë për Shqipërinë me BE-në në Evropë, apo për kënetën dhe për të zgjidhur hallin e një individi të vetëm që medemek do hiqte dhe nongratën? E hoqi gjë nongratë se ia kisha vënë unë me Sorosin? Dhe na solli një Latif nga Amerika dhe do hutonte Shqipërinë. Latifi nga Amerika njësoj si ai korçari që lozte tek “Gjeneral gramafoni”. Erdhi vërdallë dhe Latifi dhe iku dhe Latifi, po Latifi të paktën i zgjuar, i mori dhe nja 6 milionë dollarë andej. Dhe tani nga dolën këto 6 milionë dollarë? Apo 7×7 tani bëjnë 6 milionë?”, theksoi Rama.

“Janë të gjitha arsyet e botës për të mos e dyshuar që nëse ke një votë për ta hedhur dhe nëse shkon ta hedhësh do ta hedhësh vetëm tek qepalla Bashkimi Evropian. Nëse ke një votë për ta hedhur dhe s’të vjen ta hedhësh tek qepalla Bashkimi Evropian, mos ik fare të votosh, rri në shtëpi dhe lëri të tjerët të vendosin për ty. Kaq e thjeshtë është kjo”, theksoi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›