Rama – demokratëve: Dërgoni Berishën në shtëpi, në Pogradec marrim fitoren më të mirë ndonjëherë

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste, u bëri një thirrje sot demokratëve se në rast se nuk votojnë dot për Partinë Socialiste pasi nuk e kapërcejnë dot këtë fakt, më mirë të mos votojnë fare, sepse duke mos votuar demokratët në 11 maj, i hapet rruga shumicës.
Nga takimi elektoral përmbyllës në Pogradec, Rama u shpreh se shumica aritmetike që PS të qeverisë e vetme pas 11 majit nuk diskutohet, por përtej kësaj më i rëndësishëm është mesazhi që duhet të japë populli shqiptar për të negociuar me BE-në si një trup i vetëm.
“U them demokratëve që duhet të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët apo jo demokratikasit në mars të ’92. Duhet të shkojnë në kutinë e votimit dhe në rast se janë prindër dhe kanë fëmijë që nuk kanë të drejtë vote të votojnë që t’u japin fëmijëve pasaportë evropiane dhe kur fëmijët ta kuptojnë për çfarë bëhet fjalë, t’u thonë për këtë pasaportë baba dhe nëna jote bënë një sakrificë shumë të madhe votuan për Edi Ramën, por ama pasaportën ta dhanë”, tha ai.
“Ose nëse nuk e kapërcejnë dot këtë të bëjnë si unë në mars të ’92-shit, që nuk votova fare se nuk votoja dot për “bufin”, se ia kam ndjerë erën që kur e kam parë në minutën e parë atje te qyteti Studenti. Por, nuk shkova të votoj sepse kush nuk shkon të votojë i hap rrugë opsionit të shumicës, kështu është rregulli dhe patjetër që unë u bashkova me ata që i hapën rrugën Shqipërisë që të dilte nga gjithë errësira e gjatë e komunizmit dhe hynte në një rrugë të re drejt Evropës”, pohoi Rama.
Kryeministri tha se demokratët në këto zgjedhje duhet të bëjnë një “sevap” për një person që është i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë dhe që ka rrëshqitur, nuk është më “në metro”. “Këtij derëziut e punëziut nuk i doli njeri t’ia heqë të paktën këtë lloj degradimi në sy të njerëzve, por edhe ky nuk është se dëgjon njeri. Ky është në një hall shumë të madh. Thoshte më vuri nongratën Edi Rama me Sorosin, po tani pse nuk e hoqi nongratën dhe për të hequr atë damkën në ballë nxori 6 milionë dollarë! 7 x 7 vajtën 6 milionë, para e madhe. Nga i nxori, ku i gjeti? Sa ka të tjera akoma. Këto janë probleme të mëdha që flasin për një njeri të pashpresë, që lufton si i mbyturi që kapet pas fijes së barit po nuk mundemi dot ne që të lejojmë që ai të bëhet i mbyturi që mbyt”, cilësoi Rama, teksa shtoi se kjo vlen për demokratët, kur votojnë për pesën e ndihmojnë Berishën që të shkojë në shtëpi dhe nuk futen në gjynah ta mbajnë akoma rrugëve.
“Unë besoj shumë që këtu në Pogradec do të marrim rezultatin më të mirë ndonjëherë, siç do e marrim në gjithë Shqipërinë. Jemi përgatitur shumë për ditën kur do na hapej dera, kur do ulemi në tryezë, për këtë surprizë që na e bëri BE duke na vënë në tryezë negociatat. Nuk e k a pasur asnjë vend ish-komunist, është negociata më e shpejtë që është vlerësim për ne dhe patjetër që ne jemi përgatitur shumë fort për të marrë një fitore shembullore dhe do të jetë një fitore që siç është beteja ime me ju e 10-ta do të mbajë notën 10”, pohoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit e mbylli fjalën e tij me një thirrje që deri në 11 maj, të gjithë të bëjnë çmos që të marrin sa më shumë njerëz me vete, fqinj, demokratë të njohur, dhe kjo të fillohet nga gratë, sepse sipas Ramës nëse arsyeja e burrave errësohet nga tifozllëku, arsyeja e grave nuk ka tifozllëk por ka sensin e shtëpisë së përbashkët.
/a.f/r.e/