Rama thirrje qytetarëve: Votoni rrugën e së ardhmes

Kryetari aktual i bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kandidati për këtë bashki Edi Rama i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në votime në 8 maj.
Gjatë inspektimit të punimeve tek ish-fusha e Aviacionit, Rama ka theksuar se qytetarët duhet të votojnë për rrugën e transformimit të kryeqytetit.
“Qytetarët të votojnë që të vazhdojë rruga e transformimit që të bëjë që Tirana të jetë kryeqyteti i gjithë shqiptarëve që e shohin si një pikë referimi për të ardhmen e tyre” theksoi Rama.
Sipas tij në 8 maj qytetarët duhet të votojnë për të realizuar ëndrrat dhe shpresat e tyre me fuqinë e votës.
“8 maji është dita kur secili ka në dorë fuqinë që i jep demokracia që është vota. Në 8 maj qytetarët me votë të gjykojë dhe të ndërshkojë të keqen që është mbledhur në pushtetin e një oborri” theksoi më tej Rama.
Më tej Rama i bëri apel qytetarëve që në 8 maj, në ditën e shprehjes së vullnetit të tyre të votojnë rrugën e së ardhmes që opozita është e gatshme që t`iua garantojë.