E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama t’i kërkojë falje Shkodrës për krimet e komunizmit”

27/01/2009  Kryeministri shkon në Shkodër për inaugurime, përmend edhe kreun e PS-së

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje që nga Shkodra kreut të Partisë Socialiste Edi Ramës të deklarohet kundër krimeve të komunizmit, duke nënkuptuar insistimin e socialistëve për të shfuqizuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për lustracionin. Kreu i qeverisë mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve të rrugës hyrëse të qytetit të Shkodrës, investim i Buxhetit të Shtetit me vlerë 120 milionë lekë, dhe punimeve për ndërtimin e linjës 400 kilovolt të interkonjeksionit Tiranë–Podgoricë. “I bëj thirrje zotit Edi Rama që ai t’i kërkojë të falur Shkodrës, sepse nuk pranon të dënojë krimet kundër njerëzimit që sistemi barbar komunist ka kryer në mbarë vendin. Unë shtroj pyetjen: si ka mundësi që ti në vitet ’90 erdhe në këtë qytet dhe themelove partinë opozitare KIS, parti e cila fund e krye si platformë kishte dënimin e sistemit komunist? Por çfarë ndodhi me ty?” - theksoi Berisha në fjalën e tij. Kryeministri ka vijuar me sulmin ndaj kundërshtarit të tij politik, këtë herë me një gjuhë jashtë asaj zyrtare. “Në rast se edhe ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë që në rini, ashtu siç po thonë, dëno krimet kundër komunizmit, përndryshe do të më bësh të besoj se je i tredhur në rininë tënde dhe ky s’është faji im”, - vijoi ai. Për sa i takon qëllimit për të cilin kreu i qeverisë, i shoqëruar edhe nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, numri një i ekzekutivit tha se qeveria i ka mbajtur të gjitha premtimet e saj gjatë këtyre viteve dhe premtoi se në katër vjetët e ardhshëm qeveria e tij do të bëjë 8 herë më shumë se katër në vjetët që lamë pas. “Jam këtu për t’u zotuar se qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje që Shkodra të ketë infrastrukturën më moderne. Ky është një ndër qytetet që aktualisht ka furnizimin më të mirë me ujë, por ju garantoj se shumë shpejt do të nisë investimi në autostradën që lidh Shkodrën me Podgoricën”, - tha ai. Shefi i ekzekutivit informoi se Ministria e Punëve Publike së shpejti nis projektin për të shtruar një autostradë me 4 korsi. rrugën Shkodër–Lezhë. Ndërsa ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Tiranë–Podgoricë në komunën e Koplikut të rrethit të Shkodrës Kryeministri Berisha e cilësoi jashtëzakonisht të rëndësishme për garantimin e stabilizuar të furnizimit me energji elektrike dhe për lirinë e tregut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›