E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Obama nën traditën e ish-presidentëve

27/01/2009  Politika e Jashtme e SHBA-ve, Uidhers garanton se ajo nuk do të ndryshojë për rajonin

Ministri Basha shpreh mirënjohje për rolin e sekretares së Shtetit Klinton

Parimet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jenë të pandryshuara edhe nën drejtimin e presidentit Obama. E kjo vlen dhe për të gjitha vendet e rajonit, sigurisht dhe për Shqipërinë. Madje, për vendin tonë Shtetet e Bashkuara garantojnë se ajo do të jetë në një të ardhme të afërt aleate e NATO-s. Mesazhe të tilla u lëshuan dje nga vetë ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers gjatë një tryezë të organizuar nga Ministria e Jashtme dhe ambasada amerikane për politikat e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Duke u ndalur konkretisht në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e Obamës, ambasadori Uidhers garantoi se administrata e re do të vazhdojë marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit që la administrata paraardhëse e ish-presidentit Bush. Nga ana tjetër diplomati amerikan i sugjeroi politikës shqiptare që të respektojë dhe të marrë vendime në bazë të ligjit themeltar të shtetit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë mbështetjen e shtetit amerikan. “Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara Barak Obama ka respekt të madh për kushtetutën, përpjekjet që ripërtërihen për luftuar korrupsionin dhe respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Nëse Shqipëria përparon ndaj këtyre pikave, Shqipëria do të gëzojë besimin e Obamës”, - vlerësoi ambasadori amerikan gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht ai zbardhi dhe një tjetër element mbi të cilën do të zhvillohet politika e jashtme e këtij shteti. “Presidenti Obama do të jetë një mik i madh i Shqipërisë, sipas traditës së gjatë të presidentëve amerikanë, që shkon deri te Presidenti Uillson. Politikat tona ndaj këtij rajoni dhe ndaj Shqipërisë do të bazohen mbi shpresat dhe pritshmëritë. Shpresat tona për këtë rajon janë të larta dhe optimiste. Dhe parimet e politikave tona mbeten të paprekura”, - nënvizoi Uidhers. Sipas tij, nën drejtimin e Presidentit Obama parashohim një Shqipëri në qendër të një rajoni ballkanik që ka stabilitet dhe paqe. Ndërkohë ministri i Jashtëm Lulëzim Basha vlerësoi zgjedhjen e popullit amerikan, e cila mbart në vetvete shpresën për një të ardhme të re. “Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara Barak Obama është në realitet i zgjedhuri i globit dhe jo vetëm i preferuari i bashkëkombësve të tij, kaq të mëdha janë shpresat që ai, idetë dhe energjia a tij kanë ngjallur në botë”, - u shpreh Basha. Sipas tij, administrata e re amerikane, që sapo është instaluar në zyrë, mbart në vetvete një përzierje të shkëlqyer të ndryshimit të kërkuar nga amerikanët me eksperiencën e domosdoshme në lidership, mishëruar në një doktrinë dhe filozofi të re: atë të kthimit të besimit brenda dhe jashtë vendit. Ministri Basha vlerësoi se “dua të veçoj këtu sekretaren e Shtetit Hillari Klinton. Dëshiroj të rishpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë dhe në të njëjtën kohë t’i uroj përzemërsisht zonjës Klinton suksese në detyrën fisnike të sekretares së Shtetit. Emërimi në këtë post vjen në një situatë të vështirë në planin global dhe njëkohësisht me shumë sfida rajonale. Ne jemi të bindur se kuraja politike, lidershipi i pagabuar dhe angazhimi i vazhdueshëm i zonjës Klinton janë garancia më e mirë për sukses”. Po në të njëjtën linjë Basha shprehu bindjen se “nën drejtimin e Presidentit Obama ne jemi të bindur se sekretarja Klinton dhe diplomacia amerikane do të dijë të ndërtojë një të ardhme me më shumë partnerë dhe më pak armiq për të gjithë ata që luftojnë për lirinë, paqen dhe zhvillimin”.

Kryetari i PS-së apel për politikën shqiptare

“Fryma e re e besimit, mirënjohës Obamës”

Kryetari i Partisë Socialiste gjatë fjalës së tij shprehu bindjen se me ardhjen e Obamës në pushtet ka ardhur një epokë e re, ku Shqipëria duhet të marrë shembull dhe të kuptojë se vetëm bashkimi përtej së majtës dhe së djathtës mund të sigurojë sukseset e kërkuara. “Amerika na mëson se është bashkimi i qytetarëve të thjeshtë, përtej kufijve të vjetër të politikës së politikanëve, që mund të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar në jetën e një vendi të gjithsecilit”, - nënvizoi Rama. Sipas tij, zgjedhja e Obamës ishte një rast që tregoi se nga shembulli i forcës u kthye në forcën e shembullit dhe për këtë arsye duhet t’i jepet dinjitet shtetit ligjor. “Korrupsioni nuk luftohet me retorikë antikorrupsion, ashtu sikundër nuk mbulohet as me masa antikomunizëm, as me masa antigazetarizëm”, - u shpreh kreu i socialistëve. Gjithashtu, duke theksuar se Presidenti i ri beson te demokracia dhe politikat e saj, Rama i uroi suksese Barak Obamës në misionin e ri që i ka vënë vetes. Njëkohësisht ai vlerësoi dhe një herë tjetër faktin se politika e ndjekur prej tij dhe e partisë që ai drejton do të jetë në të njëjtën linjë me erën e re të ndryshimit që garanton për shtetin amerikan presidenti Obama. “Për këtë frymë të re besimi dhe për këtë model rrezatues angazhimi të ri të politikës në shërbim të njerëzve ne i jemi mirënjohës udhërrëfyesit të ri të botës së lirë, Presidentit Barak Obama”, - u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit, besim tek Presidenti i SHBA

“Presidenti Obama mik i çmuar i shqiptarëve”

Kreu i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha siguroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhje të lira, duke garantuar standardet. Sipas tij, qeveria do të vazhdojë luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulat e tij kudo që janë. Garanci të tilla kreu i ekzekutivit i bëri me dije gjatë konferencës me temë “Politika e jashtme amerikane, administratë e re, doktrinë e re”. “Garantoj përfaqësuesit e komunitetit të vendeve të lira, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë në dinjitet të plotë si qytetarë të këtij komuniteti, në respekt të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, në një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe tentakulave të tij kudo që ato të shtrihen”, - deklaroi Berisha. Ndalur pikërisht te Shtetet e Bashkuara, Kryeministri Berisha e vlerësoi ditën e inaugurimit të Barak Obamës si ditë historike jo vetëm për amerikanët, por për mbarë botën. Kryeministri uroi presidentin amerikan në detyrën e tij historike. Sipas tij, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të njohin një dimension të ri nën drejtimin e presidentit Obama, pasi te ky i fundit shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar. Gjithashtu kreu i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohje edhe ndaj ish-presidentit Xhorxh Bush, i cili, sipas tij, me aktet historike mes dy vendeve do të mbetet përjetë në memorien e kombit shqiptar. Në gjykimin e kryeministrit Berisha mbetet për tu vlerësuar dhe mbështetja që presidenti Bush i dha Shqipërisë në përpjekjet e saj për integrimin në NATO dhe shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

Xhon Uidhers

“Nën drejtimin e Presidentit Obama, parashohim një Shqipëri në qendër të një rajoni ballkanik që ka stabilitet dhe paqe. Shohim një Shqipëri që jeton, bashkëpunon dhe ndihmon fqinjin e ri të pavarur Kosovën siç ka bërë për gjithë këto vite. Parashohim me pritshmëri të madhe dhe gëzim të madh përfshirjen e Shqipërisë në aleancën më të fuqishme, NATO. Përpara shtrihen ditë të mira për Amerikën dhe Shqipërinë”.

Sali Berisha

“Kam bindjen më të thellë se tek Presidenti Barack Obama, shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar dhe se në administratën e tij punojnë miqtë më të mirë të kombit shqiptar, nga zëvendëspresidenti Joe Biden, ish-senatorja Hillary Klinton, tani Sekretare e Departamentit të Shtetit, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare James Johns, por edhe shumë personalitete të tjera në të gjitha nivelet e kësaj administrate”.

Edi Rama

“Për këtë shembull të paçmuar edhe për Shqipërinë e shqiptarët që duan ndryshimin e begatimin e atdheut tonë dhe që tek Amerika e sotme shohin sesi njerëzit e zakonshëm realizuan një ëndër të jashtëzakonshme, për këtë frymë të re besimi, ne sot i jemi mirënjohës udhërrëfyesit të ri të botës së lirë, Presidentit Barak Obama, dhe nga Tirana e vogël i urojmë me gjithë zemër, sukses të plotë në misionin e tij historik”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›