E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama trillon me gojën e Shalsit - fushatat informuese sipas rregullave të prokurimeve”

24-09-2012 / Gazeta 55

Ekzekutivi hedh poshtë akuzat e PS-së: Janë shpenzuar 4-7 herë më pak se vendet e rajonit

Kryeministria ka reaguar pas akuzave të Partisë Socialiste për shpërndarjen e reklamave shtetërore. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e kryeministrisë Erla Mëhilli ka theksuar se kreu i PS-së Edi Rama po i rikthehet politikës së bllokimit dhe dezinformimit me blofe mediatike. “Këto ditë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, është rikthyer te politika e bllokimit, por dhe e blofeve dhe e trillimeve si alternativë kryesore e tij. Kështu ai me gojën e Shalsit, ka disa ditë me radhë që dezinformon qytetarët mbi përmbushjen e detyrimit Kushtetues e ligjor të qeverisë për informimin e qytetarëve shqiptarë, për të gjithë veprimtaritë e saj dhe proceset madhore të vendit”, ka deklaruar zëdhënësja e kryeministrit.
Njëkohësisht, në krahasim mes dy strategjive të ndjekura nga Rama në kohën kur ishte kryetar bashkie dhe nga qeveria “Berisha”, Mëhilli saktësoi se Rama kur ishte dhe Kryebashkiak i Tiranës në vitet 2006 deri në 2011 ka ndjekur një politikë selektive duke diskriminuar tregun e gjerë të media në favor të dy ose tre mediave afër tij.
“Kreu i Partisë Socialiste, i cili nga viti 2006 deri ne vitin 2011 si kryetar i Bashkisë së Tiranës,  të gjitha reklamat, njoftimet televizive dhe ato në mediat e shkruara të vendit në tërësinë e rasteve ja u dhuroi vetëm 1 televizioni kombëtar dhe 2 televizioneve lokale që ai kontrollonte, përkatësisht Top Channel, News 24 dhe Vizion +  si dhe 3 gazetave të tij gazetës Shekulli, Gazetës Shqiptare dhe Shqip, madje shpesh duke shkelur rregullat e prokurimit publik, bërtet tani se qeveria në shpërndarjen e reklamave dhe njoftimeve paska favorizuar disa media të caktuara dhe diskriminuar të tjera”.
Më tej, Mëhilli informoi se me porosi të kreut të qeverisë të  gjitha mediat që kanë transmetuar fushatat informuese të qeverisë janë paguar në përputhje me kohën dhe shpeshtësinë që kanë marrë përsipër për ti transmetuar ato.
Sipas saj, kryeministri është kufizuar në shpërndarjen e reklamave në 3 televizionet kombëtare për shkak të fondeve.
“Me porosi të Kryeministrit ,në të gjitha fushatat informuese të këtij institucioni gjithçka është bërë në përputhje me rregullat e prokurimeve publike dhe se spotet televizive u janë shpërndarë 3 televizioneve kombëtare TVSH, TV Klan dhe Top Channel , kurse njoftimet në mediat e shkruara janë shpërndarë në të gjitha mediat pa asnjë dallim. Qeveria shqiptare është kufizuar në këtë shpërndarje me 3 mediat kombëtare për shkak të fondeve duke kujtuar këtu se ka shpenzuar për veprimtaritë informuese ,4 deri në 7 herë më pak se çdo qeveri e rajonit e më gjerë. Në rast se zoti Rama për 5 vjet me radhë përjashtoi nga fushatat informuese të bashkisë së Tiranës të gjitha mediat që ai nuk i kontrollonte, Këshilli i Ministrave  nuk e ka bërë këtë  në as edhe një rast të vetëm, madje ka treguar mirëkuptim si në rastin e televizionit Top Channel, i cili jo gjithnjë ka qenë i gatshëm të transmetojë në kohën dhe shpeshtësinë e kërkuar spotet televizive të qeverisë, por ka preferuar të ofrojë kohën që ky televizion në përputhje me programacionin e vet e kishte më të mundshme”, shtoi zëdhënësja e kreut të Ekzekutivit.
Ndërsa i ka bërë thirrje kreut të opozitës të heqë dorë nga trillimet dhe bllofet dhe nëse munde të japë llogari për politikën e tij të shpërndarjes së reklamës në media të caktuara: “Jam sot këtu për ti kërkuar zotit Rama të heqë dorë nga blofet dhe trillimet e tij. Tu shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse ai në dhjetëra e dhjetëra veprimtari informative të Bashkisë së Tiranës përjashtoi të gjitha mediat e tjera përveç mediave që përmenda më sipër”. 
Ndër të tjera zëdhënësja Mëhilli është shprehur se “Qëndrimi përjashtues ndaj shumicës së mediave të vendit përbën një dëshmi të intolerancës së tij, por dhe të abuzivitetit të pakufizuar me ligjet dhe paratë e qytetarëve të Tiranës. Dhe për këtë arsye qeveria Berisha ka garantuar se nuk do të lejohet diskriminimi, përkundrazi. Qeveria shqiptare siç ka realizuar me sukses fushatat informuese si në rastin e liberalizimit të vizave apo proceseve të tjera madhore të vendit, do të vazhdojë më tej duke garantuar mediat se pavarësisht nga orientimi i tyre, ato nuk janë diskriminuar e as nuk do të diskriminohen, siç ka bërë ish kryetari i Bashkisë Edi Rama”, përfundoi zëdhënësja Mëhilli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›