Biznesi përqesh premtimet e Edi Ramës për uljen e taksave
Mashtrimi me biznesin e ka dërguar shumë larg shpurën e kryesocialistit. Atij s’i ecin më premtimet për ulje taksash, për shkak të rrjepjes që i ka bërë biznesit gjatë 11 viteve të kryebashkiakllëkut e po ashtu s’i ngjit as fraza se biznesi do të jetë më mirë nën qeverimin e tij. Edvini po ndjek recetat e djemkave që i shërbejnë, por po merr prej biznesit veç përqeshje
Askush s’ka dyshime se Partia Socialiste “shqetësohet” vërtetë për interesat e biznesit dhe kjo tregohet jo veç nga premtimet klasore të Ilir Beqjes, Fatmir Xhafës apo edhe gërryerjeve e blofeve të Eduard Sharësit, por edhe nga stoicizmi i Edi Ramës se ka një platformë posaçërisht për “interesat” e biznesit.
Deputetët socialistë sikurse edhe kryetari i tyre janë parë ditët e fundit në një tur takimesh me gjoja biznesmenë, të cilët në fakt kanë rezultuar përfaqësuesit juridikë të bizneseve të shumta të ligjvënësve të Partisë Socialiste. Pra, këta të fundit (biznesmenët e PS-së) kanë shprehur shqetësime se biznesi i tyre është i rënduar nga taksat dhe tatimet. Një demagogji e pështirët që luhet ditën për diell dhe në sy të të gjithëve tregon më shumë sesa ato kronikat e montuara në bizneset e Dash Pezës e klientëve të tjerë të Edvinit. Kjo demagogji tregon se në thelb, parim dhe platformë ekonomiko-politike të Partisë Socialiste është lufta e klasave. Strategjitë ekonomike që burojnë nga zyra krizë-ndjellëse e kryesocialistit nuk synojnë riparimin e defekteve të tregut, por rikthimin e sistemit të degraduar ekonomiko-financiar të para vitit 2005, mbizotërimin e monopoleve dhe oligopoleve që shterojnë dhe i marrin frymën zhvillimit të biznesit të vogël.
Aktualisht, treguesit ekonomikë flasin për një hov të çeljes së bizneseve të reja dhe kjo e motivuar nga disa faktorë. Fakt është se investimet e huaja në Shqipëri kanë ardhur në rritje vit pas viti, duke kapur shifrën e mbi 2 miliardë dollarëve vetëm për vitin 2011-ë. Sikurse inaugurimet jo vetëm në vepra publike, por edhe ato strategjike të lidhura me sektorin energjetik, turizmin dhe atë minerar apo të hidrokarbureve janë një realitet i pamohueshëm.
Shqetësimi i vërtetë i “stoikëve” të Edi Ramës është humbja e terrenit ekonomik për kompanitë e tyre evazive dhe të mbrojtura politikisht nga detyrimet si taksa dhe tatime apo dhe konkurrenca e ndershme në treg. Tre elementë që janë bërë shkak për angazhimin e pasanikëve të paligjshëm të grupit parlamentar të PS, për të kërcënuar ekonominë e tregut me pretendime qesharake se, biznesi sot vuan fuqinë rënduese të taksave të shtetit, një kohë kur i madh e i vogël, i brendshëm e i jashtëm e di shumë mirë se, kjo mazhorancë erdhi në pushtet në vitin 2005 në bazë të atij programi ekonomiko-politik që synonte uljen e taksave dhe çlirimin e biznesit të vogël. Sot jemi në pozita komode të analizojmë treguesit e vërtetë mbi zhvillimin e biznesit të vogël dhe atij të madh, por s’kemi luksin të shqetësohemi për kompanitë në evazion fiskal të pasanikëve të Partisë Socialiste.
Nga shqetësimi dhe kërcënimet që vijnë nga të ‘cenuarit’ e sistemit të suksesshëm ekonomiko-financiar s’mund të preken qindra e mijëra biznese të reja që gjallëruan tregun pas vitit 2005. Kjo dhe për një arsye më tepër se, ky grup biznesmenësh me biznese të panumërta ka humbur prej majit të vitit të kaluar, dhe një pjesë të qenësishme të tregut tashmë, Tiranën. Irritimi dhe rebelimi i tyre është i kuptueshëm pasi me bashkinë e Edi Ramës biznesi i tyre lulëzonte, ndërsa në Tiranë mbylleshin çdo ditë mbi 10 biznese nga rritja dhe shtimi i pakuptimtë i lloj-lloj takse.
Dalja në terren e Edi Ramës me disa deputetë të tij i shërbeu më së miri lidershipit socialist për të prekur nga afër atë që në ëndërr e shihte të rrënuar. Biznesi i vogël është i çliruar nga taksat dhe se çdo ditë gjeneron vende pune falë uljes dhe reduktimit të taksave. Ndaj, Edi Rama ka marrë si shpullë pas koke refuzimin e biznesit dhe i shtyrë nga ky qëndrim rezistent i tregtarëve, kryesocialisti po e ushtron demagogjinë e tij për gjoja “rrënim ekonomik” apo dhe tezën propagandistike për zerimin e taksave nga njëra anë dhe zbatimin e taksës marksiste nga ana tjetër (...) në mediume jo serioze.
Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se, platforma e Ramës synon thjesht e vetëm, “mbrojtje e bizneseve të kupolës pranë PS-së, që synon të diktojë fuqishëm tregun, duke çuar në krijimin e monopoleve; shkatërrimi i biznesit të vogël pasi shihet si pengesë e mbizotërimit të tregut, pavarësisht se ky i fundit gjeneron mbi 200 mijë vende të reja pune në vit; si dhe zerimi i investimeve të huaja, duke ngritur barriera të kota, për të kompletuar kështu të ashtuquajturën platformën klasore.
Gjithsesi, Edi Rama e ka kuptuar se nga kjo mesele i futur keqas kokë e këmbë e ka të vështirë të dalë. Por, veprimet e tij gjatë ditëve të fundit lënë të kuptohet gjithçka. Serioziteti i Ramës për platformën e tij ekonomike ka marrë fund jo vetëm kur mendon se ka rreshtuar pas vetes si hallexhinj të prekur nga taksat dhe tatimet, deputetët-biznesmenë dhe kryebashkiakët-biznesmenë, por, sikurse, po ky seriozitet shumëzohet me zero kur për të shpalosur platformën ekonomike zgjedh takimet e forumit të gruas! Aty po, flet dhe vetëm flet, pasi askush s’e ndalon. Të paktën këtu s’del i humbur, por as i fituar.