E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria me arritjet e saj, partner i besueshëm për SHBA

24-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i shtetit konfirmon se Shqipëria dhe Kosova do të jetë kryefjala e agjendës së tij në OKB. Presidenti Nishani flet për perceptimin pozitiv të SHBA-së dhe arritjet e Shqipërisë gjatë promovimit të shtatores së shenjtores Nënë Tereza në Klivelend

Presidenti i Republikës Bujar Nishani është shprehur i kënaqur me organizimin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Nishani ka deklaruar se “ka konstatuar një komunitet shumë aktiv me kontaktet me njëri tjetrin, që dhe realizuan përurimin e shtatores së Nënë Terezës, në kopshtit Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza” në qytetin e Cleveland. Është një komunitet për t’u admiruar”.
Në një prononcim telefonik nga aeroportit i Nju Jorkut, kreu i shtetit  Bujar Nishani ka theksuar  se  më 26 shtator do të jetë në Asamblenë e OKB-së dhe në pritjen e organizuar nga kreu i SHBA-ve Barack Obama, ku do të lobojë në dy pika. “Padyshim Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e kryefjalës  sime në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe takime të tjera. Tashmë objektivat tonë janë drejt rrugës së integrimi në Bashkimin Europian. Shqipëria ka pasur arritje në konsolidimin e shtetit ligjor dhe roli i Shqipërisë ka  një qasje stabilizuese të paqes në rajon. Një rol që do të mbetet i frytshëm dhe i nevojshëm në interes të  këtyre procese të rëndësishme që rajoni po kalon”, u shpreh Presidenti Nishani.     
Në lidhje me momentin e pritjes së progres raportit të Bashkimit Europian dhe një rekomandim pozitiv të komisionit për Zgjerim të marrjes së statusit të vendit kandidat nga e Shqipërisë, presidenti Nishani ka informuar në takimet që ka pasur me përfaqësues të diplomacisë amerikane  perceptimi për rrugëtimin e Shqipërisë është,
“Këtu kanë një perceptim shumë pozitiv për arritjet dhe zhvillimin e Shqipërisë. Sigurisht Shqipëria është një partner i besueshëm dhe i rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar. Dhe jo vetëm që miqtë tanë kanë një besim te Shqipëria dhe shqiptarët, por nga ana e tjetër Shqipëria shihet si një faktor i rëndësishëm i këtyre kontributeve të objektive të përbashkëta, për proceset integruese, stabilizues dhe të paqes. Absolutisht mund të konfirmoj se në SHBA gjithmonë gjen një ambient të jashtëzakonshëm miqësor  besimi tek Shqiptarët. Mund të konfirmoj faktin që SHBA e konsiderojnë Shqipërinë të hapur e miqësore, dhe Shqipëria e Shqiptarët e konsiderojnë Amerikën si mikun e tyre më të madh”.    
Ndër të tjera presidenti i Republikës, nënvizoi edhe një herë rolin e diasporës “gjeta rastin të falënderoj diasporën, miqtë amerikanë dhe kryetarin e bashkisë së Clevelandit, për promovimin e vlerave dhe kontributin që gjithnjë e më shumë po konsolidohet mes dy vendeve. Mund t’ju konfirmoj që mbeta shumë i kënaqur nga mënyra sesi ky komunitetet organizohet dhe komunikon me përfaqësues të lartë të SHBA-ve. Në mbrëmjen e organizuar nga NACC me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, ishte një ngjarje shumë e rëndësishme ku pati pjesëmarrës nga qeveria amerikane, departamenti i Shtetit, ambasadorë, kongresmenë dhe u vendosën kontakte dhe u koordinuar veprime në interes të promovimit të imazhit të Shqipërisë”, shtoi ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›