Rama udhëzim sekret për kandidatët, emrat më 10 mars
Përzgjedhja e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme vendore bëhet pjesë e taktikës elektorale mes dy forcave të mëdha politike. Njëri publikisht dhe tjetri në takime konfidenciale me deputetët e vet, kanë shtyrë procesin e mbylljes së procesit të përzgjedhjes së kandidatëve brenda dhjetëditëshit të parë të marsit. Ndërsa kryeministri Berisha e deklaroi këtë gjë dje gjatë mbledhjes së grupit, kreu socialist ia ka bërë të ditur këtë afat deputetëve të vet gjatë takimeve të veçanta që ka zhvilluar dje me të zgjedhurit e secilit qark. Përveç këtij afati, Rama ka udhëzuar deputetët e PS edhe për procedurat që do të ndiqen deri në finalimin e këtij procesi, duke u kërkuar atyre që të sheshojnë mirë kandidaturat në bazë, në mënyrë që në kryesi të vijnë sa më pak emra.
Takimi
Kreu socialist Edi Rama së bashku me sekretarin e Asamblesë për çështjet zgjedhore, Bashkim Fino, kanë pritur dje në takime të veçanta deputetët e secilit qark, me të cilët kanë diskutuar mbi ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve deri tani, duke dhënë njëkohësisht dhe udhëzime për hapat që do të hidhen më tej deri në përfundimin e tij. Siç mësohet nga burime pranë këtyre takimeve, deputetët kanë raportuar fillimisht mbi ecurinë e deritanishme të përzgjedhjes së kandidatëve, ku natyrisht kanë evidentuar faktin se në shumicën e njësive të vogla, pra të komunave dhe bashkive të nivelit të dytë dhe të tretë, ky proces thuajse ka përfunduar, duke dalë me një kandidaturë konsensuale. Ndërkohë që kanë evidentuar problematikën që është hasur në një numër të kufizuar njësish vendore, ku ka shumë pretendentë për kandidatë dhe përzgjedhja e të duhurve mund të shkaktojë pakënaqësi që mund dëmtojnë garën e opozitës në zgjedhje. Më pas kreu socialist ka kërkuar nga deputetët që të zgjidhin problematikat e hasura dhe ta mbyllin procesin brenda datës 10 mars, në mënyrë që më pas kryesia të vendosë për kandidaturat që do të regjistrohen në KQZ. Sipas të njëjtave burime, Rama ka udhëzuar të zgjedhurit e vet në Parlament që të tregojnë kujdes për të bërë një seleksionim me pëlqimin e bazës të kandidaturave, për të shmangur së pari çdo pakënaqësi, por edhe për të bërë të mundur që procesi të përfundojë atje ku mundet me një kandidaturë, pa qenë e nevojshme që kryesia e PS-së të bëjë përzgjedhje kandidatësh për njësi të veçanta. Madje Rama ka përshëndetur deputetët të cilët kanë mundur të dalin me një kandidaturë konsensuale për njësi të veçanta vendore. Porosia e kreut të PS-së ka të bëjë me mospërcjelljen në qendër të pakënaqësive që krijon selektimi i kandidatëve në bazë. Jo në pak raste ish-kryetarët e bashkive dhe komunave të PS-së, që nuk janë rikandiduar, janë paraqitur në zgjedhjet e radhës si të pavarur apo vitet e fundit si përfaqësues të LSI-së. Nga ana tjetër kryetari i PS-së ka vlerësuar si të nevojshme që për bashkitë e mëdha, apo siç njihen ndryshe bashkitë qendër qarku të zhvillohen sondazhe për të gjetur emrin më të mirë dhe më të pranueshëm nga qytetarët dhe që do të përfaqësonte opozitën në zgjedhjet e ardhshme.
Emrat
Ndërsa zyrtarisht procesi është në zhvillim e sipër, thuajse për 2/3 e njësive vendore ai ka mbaruar, duke dalë me nga një emër si kandidaturë për zgjedhjet vendore. Këtu përfshihen një numër i konsiderueshëm komunash si dhe një sërë bashkish të mëdha, siç janë Vlora, Korça, Durrësi, Pogradeci etj., ku rikandidojnë krerët aktualë. Ende i paqartë duket procesi në Tiranë, ku siç bëhet e ditur PS po teston edhe kandidatura të tjera, si rezervë në rast se vetë Rama nuk do të kandidojë për një mandat të katërt.